Përse Nuk i Duroni Dot Zhurmat e të Ngrënit? – Sëmundja që Shkakton Zemërim

7.3k 0

E keni parasysh momentin kur dikush mbllaçitet pranë jush? Për disa persona, kjo zhurmë është e lehtë për tu injoruar. Megjithatë, shumë njerëz acarohen dhe bezdisen prej këtyre tingujve.

Një reagim i tillë njihet si misofonia dhe ka të bëjë me një reagim të tepruar emocional ndaj një zhurme ose tingulli të caktuar.

Përveç mbllaçitjes, ka njerëz që acarohen nga frymëmarrja e zhurmshme, por edhe gërvishtja e sipërfaqeve të ndryshme me thonj.

Një studim britanik ka arritur të zbulojë se çfarë ndodh në trurin e njeriut kur dëgjon zhurma të tilla bezdisëse.

Çfarë  Thonë Ekspertët?

Në studim u përdorën rrezet X për të analizuar trurin e 20 personave që vuajnë nga misofonia dhe 22 të tjerëve që nuk reagojnë ndaj tingujve dhe zhurmave të lartpërmendura.

Gjatë eksperimentit, të gjithë pjesëmarrësit ishin të detyruar të dëgjonin tinguj të ndryshëm si ai i shiut, ulërima, frymëmarrje, mbllaçitje apo edhe gërvishtje.

Më pas, grafitë treguan se në rastin e personave të prekur nga misofonia, pjesa e trurit që bashkëlidh shqisat me emocionet ishte më tepër aktive se tek personat e tjerë.

Një nga studiuesit e këtij eksperimenti i tha BBC-së se truri i njerëzve që vuajnë nga misofonia, ndizet nga zemërimi dhe rraskapitet nga këto zhurma e tinguj.

“Emocioni që mbizotëron në rastin kur dikush dëgjon dikë që mbllaçitet nuk është thjesht neveri. Është zemërim i pastër. Ngjan si një reagim normal, por pastaj merr përmasa më të mëdha,” tha Dr. eksperti Sukbinder Kumar në një intervistë për BBC-në.

A Ka Trajtime Për Misofoninë?

Ekspertët thonë se për këtë çrregullim nuk ka trajtime të mirëfillta.

Megjithatë, njerëzit mund të gjejnë mënyra për tu mbrojtur nga një reagim i tepruar emocional duke mbajtur kufje veshësh.

Këto reagime emocionale ndaj mbllaçitjes dhe jo vetëm kanë tendencën të përkeqësohen nga konsumi i alkolit dhe kafeinës.

Ekspertët shpresojnë që të kryejnë studime të mëtejshme për të kuptuar më qartë këtë çrregullim që nuk diagnostikohet dot dhe për të ofruar trajtime specifike ndaj tij./AgroWeb.org