Muaji i shenjtë i Ramazanit i ka gjetur miliona besimtarë në mbarë globin të mbyllur në shtëpitë e tyre.
Çdo vit, besimtarët mbajnë agjërim që nga agimi deri në perëndim të diellit për 29 ose 30 ditë, një ritual përkushtimi ndaj Zotit.
Në këtë kohë të paprecedentë, ekspertët thonë se njerëzit që agjërojnë duhet të mbajnë në konsideratë disa aspekte të rëndësishme.
Në një shkrim për Ramazanin gjatë pandemisë, BBC intervistoi eksperten Jenna Maçhiochi nga Universiteti i Susseks, e cila tha se organizmi ka nevojë për shumë energji që të luftojë infeksionet.
Për rrjedhojë periudhat e gjata të frenimit nga ngrënia dhe pirja mund të dobësojnë sistemin imunitar.
Kjo është arsyeja përse gjatë orëve që feja lejon ushqimin dhe pijet, çdo person që agjëron duhet të tregojë kujdes për ushqyesit që merr.
Ushqyesit Më Të Nevojshëm Gjatë Agjërimit
Ekspertët thonë se njerëzit që agjërojnë duhet të sigurohen që të marrin sa më shumë:
Ushqyes makro që janë karbohidratet, proteinat dhe yndyrnat
Ushqyesit mikro siç janë vitamina C dhe hekuri.
Mënyra më e mirë për të marrë këto ushqyes është konsumi i ushqimeve të larmishme siç janë perimet, frutat, legumet, zarzavatet, drithërat dhe barishtet.
Gjatë agjërimit rreziku i dehidratimit është shumë i pranishëm, ndaj në oraret e lejuara, besimtarët duhet të jenë të vëmendshëm ndaj pirjes së ujit dhe konsumit të perimeve dhe frutave me përmbajtje të lartë uji.
Besimtarët duhet të jenë gjithashtu të vëmendshëm dhe të kujdesshëm ndaj gjumit, stresit dhe aktivitetit fizik.
Gjumi i mirë, ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik janë të domosdoshëm për të mbajtur në formë sistemin imunitar.
Për më tepër, besimtarët që agjërojnë duhet të mbrojnë shëndetin duke mos u ekspozuar ndaj virusit dhe duke larë duart sa më shpesh.
A Duhet Të Agjërojnë Të Sëmurët Kronikë?
Njerëzit që janë të sëmurë, përfshirë ata të infektuar me COVID-19 duhet të mos agjërojnë.
Agjërimi besohet të mos jetë i këshillueshëm për njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike, përfshirë këtu diabetin.
Sidoqoftë vendimarrja është e gjitha në dorë të njeriut.
Diabetikët që vendosin të agjërojnë duhet të tregojnë kujdes me ushqimet.
Ata duhet të konsumojnë ushqime që çlirojnë ushqyesit dhe energjinë në mënyrë të ngadaltë.
Për më tepër ata duhet të masin nivelet e sheqerit në gjak më shpesh se zakonisht./AgroWeb.org