Ëmbëlsira të Shpejta për 15 Minuta – Shije e Lehtë Mahnitëse

3.1k 0

E lehtë në shije ashtu si edhe në përgatitje.

Kjo recetë është fantastike jo vetëm për thjeshtësinë e saj në përgatitje por mbi të gjitha në shijen e veçantë të lehtë që ka.

Përgatitet krej lehtë dhe me pak përbërës dhe shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me kombinime e shije të ndryshme.

Mund t’i shoqëroni me kafe, çaj apo qumësht në mëngjes si biskota shtëpie.

Por mund t’i konsumoni në çdo kohë të ditës për të ëmbëlsuar veten e për të ngrënë diçka të vogël në vaktet midis.

Por gjithashtu, këto ëmbëlsira të vogla plot shije mund të shërbejnë edhe si gosti e ëmbël për të mikpritur miqtë dhe mikeshat.

Më poshtë AgroWeb.org sjell recetën fantastike të përgatitjes së kësaj ëmbëlsire krejt lehtë në shtëpi.

Ndryshe nga recetat klasike, kjo ëmbëlsirë nuk përgatitet me qumësht e as me vezë.

Përgatitja e Ëmbëlsirave të Shpejta

Përbërësit

  • 250 gr miell
  • 140 gr sheqer pluhur
  • 200 gr margarinë e shkrirë në temperaturë ambjenti
  • 150 gr arrë kokosi e grirë (e gjeni në markete)
  • 2 lugë gjelle mjaltë
  • Reçel qershie

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që në një tas të shtoni sheqerin pluhur bashkë me margarinën dhe t’i përzjeni derisa të krijohet një masë e njëtrajtshme kremoze.

Më pas, shtoni arrë kokosin e grirë dhe mjaltin dhe përzjeini sërish derisa masa të bëhet homogjene.

Në vijim, nisni të shtoni miellin gradualisht duke përzjerë masën pa ndërprerje.

Përzjeheni me kujdes derisa të përftohet një masë e butë brumi.

Më pas, masën e brumit ndajeni sipas preferencës në  forma të ndryshme biskotash apo amaretash.

Të gjitha biskotat që keni formuar lyejini përmes një furçe kuzhine me margarinë.

Hidhuni pak pluhur mielli sipër, në mes vendosuni gjysmë luge kafeje me reçel qershie dhe vendosini më pas në një tavë ku keni shtruar më parë letër pjekjeje.

Futini të piqen në furrë të parangrohur në 200 gradë për maksimumi 10 minuta.

Nëse preferoni mund të përdorni edhe reçelra me shije të ndryshme por edhe fruta të ndryshme gjithashtu.

Kështu, para se të fusni ëmbëlsirat për pjekje mund t’u vendosni reçel, fiku, ftoi apo frutash pylli.

Por gjithashtu, mund të vendosni përsipër edhe fruta të freskëta, si feta bananesh, apo pak kubikë mollësh të lyer me mjaltë e kanellë, arra apo bajame etj./AgroWeb.org