Fërgesë me Spinaq dhe Gjizë në 10 Minuta – Shije dhe Shëndet i Mirë

1.8k 0

Që trupi të ketë energji, ai ka nevojë për ushqime të shëndetshme.

Ekspertët, të cilëve u referohet AgroWeb.org  thonë se një ditë produktive kërkon ushqime të pasura me fibër e proteina.

Një nga pjatat më të mira që mund të konsumohen për një drekë të lehtë de të shëndetshme, është fërgesa me spinaq, vezë e djathë.

Koha e përgatitjes së kësaj fërgese është më pak se 10 minuta por shija e saj do ju mbetet gjatë në qiellzë.

Fërgesa Me Spinaq, Vezë dhe Djathë Për Një Vakt Plot Shije dhe Vlera

Për përgatitjen e kësaj pjate ju nevojiten:

  • 2-4  grushta spinaq,
  • 1-2 vezë,
  • 200 gr djathë të copëtuar ose 200 gr gjizë
  • 1-2 thelbinj hudhër,
  • 1 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripa, speci djegës, piperi apo majdanozi janë tërësisht opsionale.

Përgatitja 

Vendoseni tiganin në zjarr dhe hidhni vajin e ullirit.

Kur ai të jetë ngrohur, shtoni gjethet e lara të spinaqit dhe lërini të kaurdisen në vaj për pak minuta.

Ndërkohë rriheni vezën në një pjatë të vogël dhe kur spinaqi të jetë gatuar hidheni në tigan.

Kur veza të nisë të mpikset shtoni thërrimet e djathit ose gjizën dhe hudhrën.

Sipas dëshirës, mund të shtoni pak piper ose spec djegës dhe servireni duke e shoqëruar me një filxhan me kos dhe bukë të thekur.

Sasitë e lartpërmendura ofrojnë një vakt të bollshëm për dy persona person

Një vakt i tillë është shumë i pasur me proteinë, fibër, hekur dhe vitaminat A, K, C dhe B2. Këto ushqyes janë të rëndësishëm për qarkullimin e gjakut, shëndetin e zemrës, imunitetin dhe për shëndetin e kockave.

Duke e shoqëruar këtë pjatë me kos, merrni një dozë të mirë të kalçiumit, një mineral shumë i rëndësishëm për kockat dhe organizmin në përgjithësi. /AgroWeb.org