Hasude e Shpejtë – Ëmbëlsi e Mrekullueshme në 15 Minuta

9.5k 0

Përgatitet krejt lehtë, me vetëm katër përbërës por shija e saj të përfshin tërësisht.

Mund ta përgatisni në çdo kohë të ditës pasi kërkon shumë pak kohë në përgatitje dhe menjëherë është gati për t’u shijuar.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë se si të përgatisni hasuden në shtëpi, përmes recetës tipike të trashëguar brez pas brezi nga amvisat shqiptare një mënyrë fantastike për të ëmbëlsuar veten dhe më të dashurit tuaj.

Është një ëmbëlsirë me shije të plotë që mund të kombinohet gjatë përgatitjes në shumë mënyra të shkëlqyera.

Krahas përbërësve bazë mund të shtoni të tjërë plotësues për ta bërë këtë ëmbëlsirë edhe më të shijshme. Mund të shtoni arra, bajame, fruta të thata, lëkurë të grirë portokalli apo limoni etj.

Receta e kësaj ëmbëlsire kërkon vetëm pak kujdes por rezultati në fund do t’ju kënaqë me patjetër nepsin dhe oreksin me shijen e saj.

Përgatitja e Hasudes në Shtëpi 

Përbërësit 

  • 300 gr niseshte
  • 300 gr sheqer
  • 500 ml ujë
  • 100 gr gjalpë të freskët

Përgatitja 

Hedhim në një tas masën e ujit dhe niseshtenë dhe i përziejmë mirë me njëra tjetrën derisa niseshteja të shkrihet plotësisht dhe të njëtrajtësohet me ujin.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni një tenxhere në zjarr.

Shtojmë gjalpin dhe sheqerin.

I trazojmë derisa sheqeri të shkrijë plotësisht dhe të marrë ngjyrë karamel dhe të forcohet pak.

Në këtë moment, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni ujin me niseshte dhe të përzjeni gjithë masën pa ndërprerje përmes një luge druri.

Nëse preferoni të shtoni të tjerë përbërës përveç atyre bazë, në momentin kur shtoni ujin me niseshtenë mund të shtoni gjithashtu edhe arra apo bjame të thërrmuara, apo përbërës të tjerë dhe vijoni të përzieni derisa masa të trashet ne formën klasike xhelatinoze të hasudes.

Sekreti i Hasudes qendron tek përzierja pa ndëprerje e gjithë masës  që është në zjarr

Më pas hiqeni nga zjarri, mund ta ndani në një pjatancë lugë-lugë ose hidheni në një tavë dhe më pas prijeni në katrorë dhe më pas lëreni të ftohet./AgroWeb.org