Kungulleshka në Vaj Ulliri – Receta e Shijshme e Turshive të Shpejta

748 0

Kungulleshkat në vaj ulliri janë një recetë e thjeshtë që përgatitet shumë shpejt dhe shijohet ngadalë.

Perfekte për të shoqëruar vaktet në çdo ditë të vitit në sallatra apo si shoqëruese e pjatave të tjera.

Në mënyrë që të keni gjithnjë gati një alternativë të shpejtë për t’ja servirur miqve dhe familjarëve AgroWeb.org ju sjell këtë recetë të veçantë.

Ndiqeni hap pas hapi si më poshtë të gjithë proçesin e përgatitjes së kungulleshkave në vaj.

Përbërësit

2 kg kungulleshka

500 ml uthull

1 litër ujë

gjysmë luge gjelle kripë

1 tufë majdanoz

2 thelpinj hudhër

disa gjethe nenexhik

vaj ulliri

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të filloni duke përgatitur kungulleshkat.

Kujdesuni t’ i prisni ato fillimisht përsëgjati dhe më pas priteni në copa sa më të vogla.

Ndërkohë në një tenxhere të thellë hidhni uthullën të cilën mund të zgjidhni molle ose uthull rrushi të bardhë.

Shtoni edhe ujin dhe kripën dhe lërini të ziejnë për disa minuta derisa uji të fillojë të vlojë.

Më pas shtoni një pjesë të kungulleshkave, gjysmën e tyre dhe lërini të ziejnë për 3 minuta.

Kur ato të jenë zier hiqini dhe lërini në një letër  të pastër dhe shtoni në tenxhere gjysmën tjetër të kungujve duke ndjekur të njëjtin proçes si më lart.

Vendosini tashmë të gjitha në një letër apo napë dhe lërini të ftohen derisa të jenë të vakëta duke mbuluar me letër edhe pjesën e sipërme të tyre.

Ky proçes është shumë i rëndësishëm në mënyrë që të ndihmojë në tharjen e kungulleshkave dhe përthithjen e mirë të uthullës.

Lërini të mbuluara për rreth dy orë dhe kur të jenë të thata hidhini në një enë për të vazhduar përgatitjen.

Më pas shtoni majdanozin e prerë në copa të vogla, 4-5 gjethe nenexhik të grira dhe thelpinjtë e hudhrës.

Përziejini mirë dhe lërini të pushojnë për disa minuta sa të marrin shijen e njëra tjetrës.

Sipas dëshirës mund të shtoni edhe shije apo erëza të tjera siç janë speci djegës, piperi i kuq apo i zi.

Për konservimin

Përgatisni kavanozët e sterilizuar më parë në ujë të nxehtë për 20 minuta.

Mbushini të gjithë kavanozët që keni zgjedhur me kungulleshkat që përgatitët, do të mbushen  përafërsisht tre kavanoza normal.

Kujdesuni ti presoni pak me anë të një luge copat e kungulleshkave në mënyrë që të zënë të gjithë vendet boshe.

Shtoni vajin e ullirit derisa kavanozë të jenë plot me vaj dhe të mbulojnë tërësisht kungulleshkat.

Prisni disa minuta derisa vaji të zbresë në fund të kavanozit dhe nëse ka nevojë mund të shtoni edhe pak vaj.

Mbyllini mirë me kapak kavanozët tuaj në mënyrë që të jenë sa më hermetikë dhe lërini në një ambient të errët për 10 ditë.

Pasi të keni kaluar ditët mund t’i konsumoni sipas dëshirës.

Gjithashtu mund t’i ruani të mbyllura hermetikisht deri në një vit./AgroWeb.org