Njerëzit e Prekur Nga Covid-19 Rrëfejnë Sfidën e Madhe

191 0

COVID-19 po merr jetë njerëzish dita ditës me një ritëm që i ka lënë shkencëtarët gojëhapur.

Mbi 537,873 njerëz janë infektuar prej tij tashmë dhe gjasat janë që ky numër të jetë më i lartë të nesërmen e këtij artikulli.

Nga ana tjetër, mbi 124,564 njerëz janë infektuar prej tij por janë rikuperuar.

Ata tashmë e dinë progresin e simptomave dhe rëndësinë e vetë-izolimit.

Ata e njohin panikun por edhe sikletin e temperaturës së lartë, kollës dhe frikës së humbjes së jetës.

Një artikull i Huffington Post, i përshtatur në shqip nga AgroWeb.org ofron pikëpamjet dhe këshillat që japin njerëzit që e kanë kaluar COVID-19.

Ai Përhapet Shpejt.

Trevor Mankin nga Siatëlli u infektua me COVID-19 kur me 1 Mars vizitoi një mik në spital.

Ai supozonte se ishte i mbrojtur dhe besonte me të vërtetë që i kishte marrë të gjitha masat.

Ai vuri maskë, mbajti doreza dhe i lau duart para dhe pas vizitës.

Mjaftuan 10 ditë dhe si Mankin ashtu edhe e shoqja rezultuan të infektuar me COVID-19.

Përpara shfaqjes së simptomave, Mankin vendosi të shkojë në zyrë për të marrë ca dokumenta. Të nesërmen, sekretarja e tij shkoi gjithashtu në zyrë.

Edhe përse të dy nuk kishin asnjë kontakt me njëri tjetrin, sekretarja u sëmur.

Mankin kishte prekur dorezën dhe ishte kollitur në zyrë.

Kjo është arsyeja përse sipas Mankin, distancimi fizik është tepër i rëndësishëm.

Nuk Është Njësoj Me Gripin

Chiara Di Giallorenzo, 25 vjeç nga Miami u sëmur me COVID-19 në 6 Mars.

Simptomat e para ishin temperaturë e lartë dhe plogështi.

Në fillim ajo mendoi se ishte me grip, por më pas përjetoi një shtrëngim të fortë në kraharor dhe nuk mbushej dot me frymë.

Një grua tjetër nga Siatëlli tha se simptomat e saj përveç temperaturës së lartë përfshinin bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, dhimbje koke dhe mjegullim të trurit.

Kujdes Me Lajmet

Mankin, të cilin e përmendëm më lart, këshilloi se ekspozimi i tepruar ndaj lajmeve e dëshpëroi atë.

Kësisoj, gjatë izolimit, ai vendosi të informohet për situatën vetëm një orë në ditë.

Ka shumë negativitet- tha ai- dhe lajmet më mërzisnin dhe shqetësonin.

Ushqimet

Njerëzit që e kanë kaluar COVID-19 thonë se njerëzit duhet të frenohen nga dëshira dhe paniku për të bërë sa më shumë blerje ushqimesh.

“Përse duhet të marrësh 600 topa letre higjenike. Ato nuk janë vaksina. Njerëzit duhet ta mbledhin mendjen dhe të ruajnë toruan,” tha Christi, një tjetër histori suksesi në betejën kundër virusit.

Situata Duhet Marrë Seriozisht

Sipas ekspertëve, 80 përqind e njerëzve që preken nga COVID-19 përjetojnë simptoma të një intensiteti mesatar dhe arrijnë t’ia hedhin situatës duke qëndruar në shtëpi.

Por kjo nuk do të thotë që njerëzit që janë më pak të rrezikuar, nuk duhet ta marrin seriozisht situatën, përkundrazi!

Të rinjtë dhe adoleshentët që mendojnë se jeta duhet të vazhdojë dhe se nuk do t’i gjejë gjë nga virusi, gabohen rëndë dhe rrezikojnë jo vetëm jetën e tyre por edhe familjarët dhe miqtë. /AgroWeb.org