Fileto Pule me Speca në Tigan – Receta e Shijshme për një Drekë të Shpejtë

3k 0

Në doni të përgatisni diçka të shpejtë dhe të shijshme provoni me patjetër recetën speciale të mishit të pulës së gatuar me speca dhe qepë në tigan.

Një recetë me shije fantastike, e cila kërkon pak përbërës dhe pak kohë dhe të mrekullon me shijen që ka.

Do t’ju duhet vetëm pak kohë t’i përgatisni dhe t’i dhe gjithçka do të jetë gati për t’u shijuar.

Ky gatim special shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me pilaf, sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, pure patatesh etj.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e përgatitjes së mishit të pulës në tigan, një mënyrë e shëndetshme për një drekë të shpejtë dhe të shëndetshme gjithashtu.

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • 3 fileto të mëdha pule
  • 5-6 speca mesatar
  • 1 kokërr qepë
  • 2 thelpinj hudhër
  • Kripë
  • Piper
  • 2-3 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja

Pastroni me ujë të rrjedhshëm filetot e pulës dhe përmes një thike të mprehtë prijini në kubikë të vegjël.

 Vendosni një tigan në zjarr, shtoni vajin e ullirit dhe qepët e grira.

Kaurdisini derisa volumi i qepëve të bjerë dhe qepët të bëhen transparente.

Më pas, shtoni hudhrat e shtypura dhe vijoni t’i kaurdisni për pak.

Shtoni kubikët e filetove të pulës, kaurdiseni derisa mishit ë jetë zbutur sa duhet.

Hidhni kripë dhe piper dhe shtoni specat e prera në fije të holla për së gjati.

Kaurdiseni të gjithë masën për disa minuta dhe më pas shtoni 1 filxhan çaji me ujë (jo të mbushur plot).

Lëreni në zjarr derisa uji të avullojë tërësisht dhe masa të mbetet pa lëng dhe receta është gati.

Nëse dëshironi, për më shumë shije mund t’i hidhni sipër edhe djathë kaçkavall të grirë por mund ta shoqëroni edhe me salca të ndryshme.

Mund të përgatisni më vete pak salcë domatesh me hudhra por mund të shoqërohet me salcë kosi gjithashtu./AgroWeb.org