Përgatisni Lakër Turshi me Shije të Përsosur në Vetëm 10 Minuta

3k 0

Stina e vjeshtës shoqërohet me një larmi perimesh të freskëta të cilat mund të përgatiten turshi për t’u konsumuar gjatë stinës së dimrit.

Në vendin tonë, çdo perime mund të bëhet turshi, duke nisur nga kastravecat, specat, karrotat, lulelakrat, hudhrat, patëllxhanët, e deri tek lakra.

Përgatitja e turshive nis me përzgjedhjen e enës.

Në rastin e turshisë së lakrës, shumë amvisa zgjedhin edhe enë më të mëdha.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i përgatitjes së turshisë është freskia.

Perimet për turshi duhet të jenë të freskëta dhe të forta.

AgroWeb.org ju sjell një mënyrë fare të thjeshtë për përgatitjen e lakrës turshi vetëm me tre përbërës.

Përbërësit

  • Një lakër mesatare e bardhë
  • 5 gota me ujë
  • 3-4 lugë gjelle me kripë të zezë

Përgatitja

Si fillim vendosni në zjarr një tenxhere ku keni hedhur ujin dhe kripën, dhe përzjejeni derisa kripa të jetë tretur plotësisht.

Ndërkohë merrni lakrën, pasi ta keni larë me ujë të bollshëm dhe ta keni ndarë sipas gjetheve të saj, priteni në copa.

Uji me kripën pasi të kthejë valë, AgroWeb.org ju sugjeron që ta lini përreth shtatë deri në tetë minuta.

Kështu do të jetë formuar një tretësirë në formën e shëllirës.

Në një  kavanoz të madh vendosni copat e prera të lakrës së bardhë.

AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes pasi lakra nuk duhet të jetë ë shtypur dhe që të mos ketë ajër.

Pasi ta keni futur lakrën në kavanoz, do të hidhni ujin e nxehtë të përgatitur me kripë, derisa copat e lakrës të jenë mbuluar plotësisht.

Më pas mbylleni fort kavanozin në mënyrë që të mos marri ajër, dhe vendoseni në një vend të freskët.

Lakra që të përgatitet plotësisht duhet të qëndrojë e pahapur përreth dy deri në tre javë, ose derisa lakra të ketë marrë një pamje transparente.

Pasi të ketë kaluar koha e nevojshme, mjafton që ta shpëlani para se ta përdorni për recetat tuaja./AgroWeb.org