Pite Tigani me Petë Byreku – Të Shpejta e të Ngrohta

1.6k 0

Recetat e brumit janë shumë të pëlqyera nga të mëdhenj e të vegjël.

Nga petullat e deri tek pitet, askush nuk i reziston dot aromës që ato lëshojnë kur janë të ngrohta.

AgroWeb.org ju sjell sot një recetë shumë të thjeshtë dhe me pak përbërës, por me shije shumë të mirë.

Kjo recetë përdorej nga gjyshet kur i tepronin kuleçë nga byreku, dhe përgatisnin këto pite për të vegjlit e familjes.

Provojeni dhe do të kënaqni nepsin për diçka të brumosur.

Përbërësit

  • 250 gr miell
  • 1 lugë çaji kripë
  • 125 ml ujë i vakur
  • 300g djathë i bardhë i thërrmuar
  • Vaj për skuqje

Përgatitja

Duke qenë se përbërësi kryesor i këtyre piteve është peta e byrekut, atëherë me atë do të nisim përgatitjen.

Nuk ka asgjë të ndryshme nga përgatitja e brumit të byrekut.

Pra në një tepsi hedhim miellin dhe në mes hapim një gropë.

Aty hedhim kripën dhe fillojmë shtojmë ujin e vakët pak nga pak.

Ndërkohë, AgroWeb.org ju këshillon që ta punoni me dorë, sa mielli të përthithë ujin.

Duhet ta punoni derisa të formoni një brumë të lëmuar dhe që nuk ngjit.

Ndajeni brumin në 8-10 kuleçë dhe mbulojini me një pecetë kuzhine pak të njomur.

Kjo pecetë do t’i mbajë kuleçët të butë e nuk do të lejojë që ato të thahen.

Në zjarr vendosni një tigan dhe hidhni vajin ose gjalpin që të ngrohet.

AgroWeb.org ju këshillon që kulaçët t’i hapni një e nga një.

Pasi nëse i hapni të gjithë njëherësh brumi mund të lëshohet dhe të bëhet i ngjitshëm.

Hapeni piten e parë sa pëllëmba juaj, dhe mbusheni gjysmën me djathë të thërrmuar.

Paloseni dhe me një pirun shtypni anët e saj që të mos derdhet mbushja gjatë skuqjes.

Nëse dëshironi mund të përdorni edhe gjizë të përzierë me pak djathë kaçkavall, që mos lëshojë shumë ujë.

Vendoseni në tigan piten dhe skuqeni nga të dyja anët derisa të shihni që ka marrë ngjyrë të artë.

Pasi të keni mbaruar me piten e parë, përsërisni hapat derisa t’i keni mbaruar që të gjitha.

Mos harroni që t’i vendosni mbi letra thithëse e t’i mbuloni me një kapak apo tas që të rrinë të ngrohta.

Shërbejini duke i shoqëruar me tarator, sallatë ose dhe thjesht me pak reçel./AgroWeb.org