Si të Ruani dhe Ngrini Mashurkat për t’i Shijuar në Çdo Stinë

6.8k 0

Mashurkat janë një prej perimeve më të shëndetshme.

Por problemi me perimet sezonale është se nuk i shijon dot gjatë gjithë vitit.

AgroWeb.org ju sjell një mënyrë krejt të lehtë për t’i ruajtur mashurkat në mënyrë që t’i përgatisni recetat tuaja të dashura jo vetëm në verë.

Merrni mashurkat e freskëta, por sigurohuni që të mos jenë të pabëra apo që të kenë filluar të thahen, pasi do të humbasin shijen e tyre.

Metoda e parë

Pastrimi me ujë të ftohtë

AgroWeb.org ju sugjeron që t’i vendosni mashurkat në një tas me ujë dhe pak sodë buke, kështu do të eleminohen të gjitha papastërtitë.

Më pas shpëlajini ato me ujë të bollshëm.

Heqim bishtat

Me ndihmën e një thike heqim bishtat e mashurkave.

Duhet të sigurohemi që të heqim dhe fijet që ky perim ka, pasi janë të bezdishme pasi gatuhen.

AgoWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes që mos të ekspozojmë farat e mashurkave, pasi kur t’i vlojmë mashurkat do të humbasin formën e tyre.

 Vendosim në zjarr një tenxhere me ujë

Një tenxhere mesatare e mbushim me ujë, dhe e lëmë në zjarr deri sa të vlojë.

Këtë ujë do ta përdorim për të kaluar pak mashurkat.

Në momentin që të shohim bulëza të formohen në sipërfaqen e ujit, marrim mashurkat e qëruara dhe i hedhim në tenxhere.

Duhet të bëjmë kujdes që të mos i hedhim të gjitha njëherësh, pasi ato që do të ngeleshin në fund të tenxheres do të zbuteshin më shumë seç duhet.

I lëmë në ujë për rreth 3-4 minuta. Nëse keni mashurka të holla 3 minuta janë mjaftueshëm.

Por nëse keni trashësi të ndryshme sigurohuni që t’i ndani ato më të mëdhatë pasi duan më shumë kohë.

I kalojmë në ujë të ftohtë

Mbushni një tas me ujë shumë të ftohtë. Pasi t’i keni hequr nga uji i nxehtë mashurkat do t’i kaloni në ujin e ftohtë.

Koha e ftohjes duhet të jetë e njëjtë me atë të vlimit. Pra dhe këtu do t’i lini mashurkat rreth 3-4 minuta në varësi të madhësisë së tyre.

Ky proces duhet bërë menjëherë pasi i heqim nga tenxherja, kështu ato nuk do të zbuten më.

Sigurohuni që ujin e ftohtë ta ndërroni shpesh pasi do të ngrohet nga mashurkat.

Me këtë mënyrë eleminohen enzimat që kanë perimet dhe frutat të cilat i lejojnë që të vazhdojnë e të piqen deri sa ato kalben.

Mashurkat kështu do të ruajnë ngjyrën, shijen dhe freskinë e tyre dhe pas ngrirjes.

Ngrirja

Pasi t’i keni ftohur, me ndihmën e një pecete kuzhine, thani me kujdes që të mos i prishni formën mashurkave.

Kur të keni mbaruar me këtë proces, vendosini mashurkat në një qese plastike dhe vendosini në ngrirje. Kjo metodë lejon që mashurkat të ruhen deri ne 3-4 muaj.

Vlerat shëndetësore

Mashurkat janë një ushqim që duhet përdorur për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës, diabetit si dhe problemeve të sistemit të tretjes.

Ato nuk përbajnë kolesterol, fuqizojnë sistemin imunitar dhe ndihmojnë në eleminimin e radikaleve të lira të dëmshme.

Ndër të tjera, shëndeti i syve dhe i kockave përmirësohet me konsumimin e tyre.

Ata që janë në dietë, duhet të dinë që mashurkat kanë pak kalori, por shumë vitamina dhe minerale. Nga ana tjetër, mashurkat janë të rëndësishme për të ndihmuar me problemet me aparatin tretës si: konstipacioni, ulçera dhe aciditeti. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.