Akullore Shtëpie me Kos – E Freskët me Shije të Mrekullueshme

5.6k 0

Akullorja me kos është një ëmbëlsirë e freskët e përgatitur me tre përbërës që mund të gjenden fare lehtë në shtëpitë tuaja.

AgroWeb.org ju sjell një recetë të shpejtë, që ju jep mundësinë të përgatisni pa shumë mundim këtë akullore perfekte për motin e nxehtë.

Mund ta shijoni akulloren tuaj me pak reçel, apo dhe duke e shoqëruar me fruta të stinës.

Duke qenë se përbërësi kryesor është kosi, kjo akullore është perfekte dhe për ata që nuk i preferojnë ëmbëlsirat shumë të ëmbla.

Përbërësit për 700 gr akullore

  • Kos i freskët 500 ml
  • Pana e lëngshme 125 ml
  • Qumësht 125 ml
  • Sheqer 120 gr
  • Vanilje 10 gr

Përgatitja

Për të përgatitur këtë akullore, hedhim panën dhe qumështin në një tas pak të madh, dhe aty shtojmë sheqerin.

E rrahim me telin e gatimit duke u kujdesur që kokrrizat e sheqerit të jenë shkrirë plotësisht.

Kjo do të mundësoj që sheqeri të mos ngeli i fortë dhe që masa jonë të lidhet.

Më pas shtojmë dhe vaniljen për t’i dhënë akullores një aromë akoma dhe më të mirë.

Pasi këto përbërës të kenë formuar një masë homogjene, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni pak nga pak kosin.

Nëse përdorni kosin e përgatitur në shtëpi, sigurohuni që të keni hequr ujin që ai lëshon.

Nëse ju e hidhni bashkë me ujin, kur ta vendosni në ngrirje akullorja do të formojë copëza akulli, që i prish shijen.

Pasi të keni mbaruar me kosin, vendoseni tasin në banjëmari me ujë të ftohtë me akull, dhe vazhdoni ta trazoni derisa temperatura e masës të jetë ftohur.

Më pas mjafton që ta mbuloni tasin me kapak dhe ta vendosni në ngrirje për të paktën dy orë.

Duke qenë se kjo akullore nuk ka nevojë për vezë, është shumë e lehtë, dhe mund të jetë perfekte për t’u shërbyer si në drekë dhe në darkë.

AgroWeb.org ju sugjeron t’i shtoni akullores suaj copëza çokollate apo fruta të thata sipas dëshirës. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.