Amareta të Vogla – Të Ëmblat që Nuk Duhet të Mungojnë në Shtëpi

2.2k 0

Me një ëmbëlsi unike, krokante e të lehta njëkohësisht, biskotat me brumë bajamesh janë të mrekullueshme për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës.

Përgatiten mjaft thjeshtë dhe shpejt por rezultati final i tyre është një ëmbëlsi unike, delikate.

Fantastike për t’i servirur në familje, për më të dashurit por edhe si gosti ndaj miqve e të afërmve.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e biskotave me bajame krejt lehtë në shtëpi, ndërkohë të njëjtën recetë mund ta përgatisni edhe me brumë arrash në vend të brumit të bajameve.

Përgatitja e Amaretave me Brumë Bajamesh

Përbërësit

  • 180 g bajame të pjekura pa lëkurë
  • 20 g bajame të pjekura me lëkurë
  • 2 të bardha vezësh
  • 300 g sheqer pluhur

Përgatitja

Grini bajamet me grirësen elektrike derisa të formoni një miell.

Bashkoni në një tenxhere sheqerin, 2 të bardhat e vezëve, bajamet e bluara.

Përziejini me kujdes sa të formoni një brumë homogjen me të cilin formoni një role me diametër 3 – 4 centimetra.

Në këtë moment parangrohni furrën e sobës në 175 gradë.

Ndërkohë priteni rolenë e brumit në copa nga 1 centimetër, dhe formoni me duar toptha.

Në një tavë ku keni vendosur një letër pjekjeje, ose e keni lyer me gjalpë dhe miell, vendosini topthat duke i shtypur lehtë.

Amaretat vendosni rreth 2 cm larg njera tjetrës sepse vëllimi i tyre gjatë pjekjes do rritet.

Vendosni mbi çdo amaretë nga një thelpi bajameje ose mund dhe t’i spërkasni me pak sheqer.

Bëni kujdes, sapo të fusni amaretat për pjekje vendoseni gradacionin e sobës në 120 gradë dhe lërini amaretat të piqen përreth 30 minuta derisa sipërfaqja e tyre të bëhet krokante.

Pasi të fikni sobën, amaretat lërini që të ftohen në mënyrë që të mos copëtohen gjatë vendosjes në pjatancë.

Shoqërojini me kafe apo çaj./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.