Tradita e hershme e të gjitha trevave shqiptare në kuzhinë është mahnitëse në të gjitha shijet që ofron.
Gjellë të shijshme plot aromë, të pasura me erëza dhe vlera, tava karakteristike në kombinime të pafundme, zahiretë e famshme, ëmbëlsirat unike e kanë shndërruar kulinarinë shqiptare në simbol të shijes brenda dhe jashtë vendit.
AgroWeb.org ju sugjeron recetën tradicionale dhe fantastike të Supës së Beut, një recetë e vjetër autoktone e kuzhinës prizrenase.
Cilësohet si Supa e Beut për shkak të shijes fantastike që ka por edhe vlerave ushqyese gjithashtu.
Kjo supë shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës, djathra të ndryshëm, zahiretë e shijshme të amvisave shqiptare, byrekë të ndryshëm etj
Ndiqni më poshtë udhëzimet nga AgroWeb.org për të përgatitur këtë pjatë fantastike në shtëpi për familjen tuaj.
Receta e Përgatitjes së Supës së Beut
Përbërësit
(Receta më poshtë është për 4-5 persona)
- 4-5 thela mish pule
- 2 lugë vaj ulliri
- Pak gjalpë i freskët
- 1 thelpi hudhër
- 2 qepë të njoma
- 2 karrota
- 1-2 lugë miell
- Majdanoz
- Lëngu i një kokërr limoni
- Kripë
- Piper
Përgatitja
Pastroni mishin e pulës dhe vendoseni të zjejë në një tenxhere me ujë me kripë.
Pasi mishi të jetë zbutur, lëreni që të ftohet dhe ndajeni fije fije ndërsa lëngun ruajeni mënjanë për përgatitjen e supës.
Si fillim, karrotat, qepët dhe hudhrat grihen hollë dhe kaurdisen në një tenxhere ku kemi hedhur vaj ulliri dhe pak gjalpë.
Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon që në tenxhere ku po karudisen qepët, karrota dhe hudhra, të nisni të hidhni nga pak miellin dhe vijoni kaurdisjen.
Shtoni lëngun e mishit të pulës dhe supën lëreni të zjejë përreth 30 minuta.
Më pas shtoni mishin e pulës së bërë fije-fije, erëzat si dhe majdanozin e freskët të grirë hollë. Lëreni të ziejë edhe për 10 minuta të tjera dhe në fund shtojini lëngun e limonit.
Për më shumë shije supën kur ta servirni spërkateni me pak gjalpë të tretur. /AgroWeb.org
Lini një Përgjigje