Makarona të Ziera në Qumësht – Receta e Veçantë me Shije të Përsosur

3.5k 0

A i keni provuar ndonjëherë makaronat të përgatitura me qumësht? Nëse jo, keni për t’u surprizuar me shijen më perfekte që mund të imagjinoni.

Kjo pjatë kremoze dhe me aromë unike falë erëzave që përdoren, do të kthehet në të preferuarën tuaj.

Hapat e përgatitjes janë shumë të lehtë, vetëm kërkon pak kujdes gjatë zierjes në qumësht.

Rezultatin më të mirë e arrini nëse përdorni qumësht të freskët të zierë me pak kripë, gjë që i ndryshon totalisht shijen këtij produkti.

AgroWeb.org ju tregon të gjitha truket për makaronat më të mira që keni provuar.

Përbërësit

  • 8 gota me qumësht
  • Kripë
  • 1 pako me makarona
  • 2 lugë gjelle me gjalpë
  • 5-7 lugë gjelle me djathë të bardhë apo kaçkavall
  • Gjysmë luge çaji me arrë myshku

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që të merrni një tenxhere të thellë për përgatitjen e kësaj recete, duke qenë se makaronat zakonisht ngjiten në fund të saj.

Vendoseni tenxheren në zjarr të ngadaltë dhe shtoni qumështin dhe lëreni të ziejë.

Hapi i dytë është shtimi i kripës, arrë myshkut dhe më pas makaronat.

Kur qumështi të ziejë për herën e dytë, uleni akoma dhe më shumë nxehtësinë.

Lërini makaronat të ziejnë për 25 minuta, por mos harroni t’i përzieni herë pas here.

Kjo lloj metode është ajo që jep shijen më të mirë, por nëse dëshironi mund edhe t’i jepni një valë makaronave më parë me ujë.

Shtoni më pas gjalpin dhe lërini përsëri të ziejnë, derisa makaronat të jenë gati.

Gjatë zierjes makaronat do të kenë marrë shijen e përkryer të qumështit dhe erëzave.

Një sekret i kësaj recete është fakti që erëzat shtohen kur makaronat janë duke u zierë, kështu arrihet një aromë akoma dhe më e plotë.

Në fund kur ta keni larguar tenxheren nga zjarri shtoni djathin tuaj të preferuar dhe përzjejeni derisa ai të jetë shkrirë.

Kjo recetë mund të përgatitet dhe me fileto pule, mjafton që copat e mishit t’i kaloni më parë në tigan me pak gjalpë dhe kripë.

Shërbehet e ngrohtë dhe shoqërohet me sallata me perime të freskëta të stinës. /AgroWeb.org