Biskota me Fiq të Freskët – Receta më e Ëmbël e Stinës

2.9k 0

Frutat më të njohura të verës pa dyshim që janë disa, pasi kjo stinë është e pasur me plot shije, aromë dhe shëndet të mirë nga natyra.

Megjithatë nën këtë mori zgjedhjesh në recetën e sotme AgroWeb.org ju sugjeron që përdorni fiqtë.

Këto fruta të vogla, të ëmbla të verës janë të pasura me kalium, magnez dhe janë një burim shumë i mirë antioksidantësh.

Prandaj në recetën e sotme do t’i gjeni të kombinuara me biskota në mënyrë që t’i shijoni për një kohë sa më të gjatë.

Përbërësit

  • 380 gr fiq
  • 200 gr miell
  • 100 gr gjalpë pa kripë
  • 1 vezë
  • 30 gr sheqer
  • 50 gr sheqer pluhur
  • 30 gr biskota të thërrmuara
  • 1 pako fryrës për ëmbëlsira
  • lëkurë e grirë limoni
  • pak kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e biskotave tuaja me fiq AgroWeb.org ju këshillon që të formoni brumin.

Në një enë të thellë hidhni gjalpin i cili duhet të jetë në temperaturë ambienti.

Ndajeni gjalpin në copa të vogla, shtoni pak kripë dhe lëkurën e grirë të gjysmës së një limoni, më pas përzieni me anë të një rrahësi elektrik.

Duke përzier shtoni pak nga pak edhe sheqerin pluhur, duke bërë kujdes që të mos formohen kokrriza gjatë këtij procesi.

Të njëjtën gjë bëni edhe me miellin dhe fryrësin për ëmbëlsira, shtojini pak nga pak duke i përzier njëkohësisht me rrahësin elektrik.

Lëreni brumin të pushojë pak dhe ndërkohë rrihni me anë të një piruni vezën.

Bashkojeni dhe atë me masën e brumit duke vazhduar gjithnjë me përzierjen elektrike, derisa të formohet një masë kompakte.

Kini kujdes që brumi juaj të jetë i trashë, homogjen dhe pa kokrriza nga mielli apo sheqeri.

Në tavolinën tuaj të punës shtroni një qese plastike kuzhine rreth 30cm, përdorni qeset transparente, dhe sipër hidhni me lugë të gjithë masën e brumit.

Mbështilleni brumin sërish me këtë qese dhe shtypeni me duar ose me anë të nje petësi.

Bëjeni këtë derisa të formohet një petë e trashë dhe jo shumë e madhe.

Kini kujdes që të mos ketë pjesë të tij të pa mbështjella me qese dhe futeni në frigorifer për dy orë.

Për mbushjen

Ndërkohë përgatisni mbushjen e fiqve, qërojini dhe shtypini  me duar ose pirun në një enë të madhe.

Shtoni sheqerin, lëkurën e limonit të grirë dhe përzieni sërish me një pirun të gjithë përbërësit.

Hidheni këtë masë që krijuat në një tigan dhe lëreni të skuqet për 10 minuta.

Për ta bërë këtë masë më të trashë shtoni rreth 30 gr biskota të grira.

Thërrmojini ato me dorë dhe shtojani masës së fiqve që ndodhet në tigan teksa i përzieni.

Më pas hiqini fiqtë nga zjarri dhe lërini të ftohen në një enë në temperaturë ambienti.

Nxirrni nga frigoriferi brumin, hiqni qesen dhe filloni ta hapni me një petës brumin.

Hapni një petë të madhe deri në 4 mm, pra do të përfitoni një petë 30 me 30 cm.

Me anë të një thike prisni tre shirita të mëdhenj nga 10 cm secili dhe filloni me mbushjen.

Shtroni me anë të një luge gjysmën e shiritit të parë dhe më pas paloseni pjesë tjetër të petës, duke mbuluar mbushjen dhe puthitur me duar fundet.

Bëjeni këtë me të tre shiritat dhe me të gjithë masën që përgatitët me fiqtë.

Më pas pritini biskotat tuaja në katrorë deri në 4 cm ose me madhësinë që dëshironi me anë të një thike të mprehtë.

Për pjekjen

Shtroni një tavë mesatare me letër furre dhe në të vendosni biskotat njëra pas tjetrës.

Futeni tavën të piqet në furrë të parangrohur në temperaturë 180 gradë për 20 minuta ose derisa të kenë marrë ngjyrë të artë.

Më pas lërini të ftohen pak teksa janë në tavë dhe vendosini në një pjatë, ose enë të veçantë gati për t’i ngrënë.

Sipas dëshirës mund t’i pluhrosni me pak sheqer pluhur sipër në mënyrë që shija të jetë akoma më delikate./AgroWeb.org