Biskota të Buta me Arrë Kokosi – Të Ëmbla dhe Perfekte

6.1k 0

Biskotat mund të jenë ëmbëlsirat më të thjeshta dhe të shpejta që mund të përgatisni në shtëpi.

Në vetëm 30 minuta ju do të keni përgatitur dhe shijuar këtë biskota me arrë kokosi.

Receta është shumë e thjeshtë dhe nuk kërkon shumë përbërës.

Mund t’i konsumoni në mëngjes me qumësht apo kafe, mund të shoqëroni çajin gjatë pasditeve ose edhe si ëmbëlsirë pas drekës në familje.

Përbërësit

  • 250g arrë kokosi
  • 2 vezë
  • 80g sheqer
  • 5g fryrës ëmbëlsirash
  • 90 g miell
  • 80g gjalpë

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që në një tas të madh të hidhni gjalpin e zbutur në temperaturë ambienti dhe sheqerin.

Përziejeni mirë me rrahësin elektrik sa kokrrizat e sheqerit të jenë shkrirë.

Shtoni më pas vezët dhe vazhdoni ta punoni me rrahësin elektrik që përbërësit të bashkohen.

Pasi të keni situr miellin shtojeni ngadalë tek tasi dhe mos harroni që duhet ta punoni brumin gjatë gjithë kohës.

Tani e ka radhën arra e kokosit, të cilën mund ta gjeni të grirë e të paketuar nëpër markete.

Edhe këtë përbërës duhet ta shtoni pak e nga pak.

Pasi të shihni që masa e brumit ngjason me rërën fikeni rrahësin elektrik, shtoni fryrësin e ëmbëlsirave dhe punojeni me dorë.

Formoni toptha të vegjël sa një kokërr arrë dhe vendosini ato në një tavë të shtruar me letër pjekjeje.

Kur t’i vendosni në tavë, AgroWeb.org ju këshillon që të lini hapësirë mes tyre.

Biskotat kur të piqen do të fryhen dhe distanca shmang bashkimin e tyre.

Futini biskotat për t’u pjekur në furrë të ngrohur me 180 gradë.

AgroWeb.org ju sugjeron që t’i lini në furrë për 20 minuta, ose derisa sipërfaqja e tyre të ketë marrë një ngjyrë të artë.

Kur të jenë pjekur largojini nga tava e nxehtë dhe lërini që të ftohen pak para se t’i shërbeni.

Nëse dëshironi mund t’i spërkatni me pak çokollatë të bardhë të shkrirë ose me sheqer pluhur.

Këto biskota mund të qëndrojnë të freskëta për 4-5 ditë dhe mund t’i shijoni me qumësht, kafe apo edhe në formën e ëmbëlsirës pas darke./AgroWeb.org