Bukë pa Maja e Mbushur me Djathë dhe Patate

1.6k 0

Plot shije dhe aromë fantasike, kjo recetë nuk është aspak e vështirë për t’u përgatitur.

Dhe duke qenë se nuk ka maja, nuk ka nevojë të prisni që brumi të ngrihet.

Pjekja e saj në tigan e bën të panevojshme përdorimin e furrës.

Kjo recetë është ideale për t’u përgatitur për çdo rast që dëshironi.

Ndiqni më poshtë recetën e sjellë nga AgroWeb.org për dy bukë të mbushura me djathë dhe patate.

Përbërësit:

  • 180 gr miell buke i bardhë
  • 110 ml qumësht
  • 20 g gjalpë të shkrirë pa kripë
  • pak kripë
  • 2 patate (me madhesi mesatare)
  • 3 lugë majonezë
  • 200 g djathë të grirë (mundësisht mocarela)

Përgatitja:

Fillimisht zieni 2 patatet, grijini dhe shtojini masës 3 lugë majonezë dhe përziejini mirë.

Më pas përzieni përbërësit e brumit me lugë dhe më pas vazhdoni me dorë.

Nëse e shihni të nevojshme shtoni edhe pak miell.

Formoni me këtë masë në një top, mbulojeni dhe vendoseni në frigorifer për rreth 15 minuta.

Ndërkohë grini djathin dhe lëreni mënjëanë.

Pas 15 minutash nxirrni brumin nga frigoriferi dhe ndajeni në 2 toptha.

Merrni njërin prej tyre dhe hapeni në një diametër rreth 30 cm.

Shtoni në mes djathin duke lënë rreth 5 cm hapësirë nga anët dhe më pas shtoni purenë e patateve.

Sipër mund të vendosni edhe pak djathë.

Kapni skajet e brumit dhe shtypni butësisht në qendër.

Më pas me petësin hapni brumin e bukës në madhësinë e tiganit në të cilin do ta piqni.

Tiganin lyejeni me gjalpë dhe piqeni bukën për rreth 7 minuta nga njëra anë në temperaturë mesatare, më pas e lyeni sipërfaqen tjetër me pak gjalpë dhe kthejeni nga ana tjetër.

Buka duhet të jetë krokante, ndaj mos kini frikë dhe nëse e piqni pak më shumë seç duhet por bëni kujdes që të mos digjet.

Buka shërbehet e ngrohtë, kështu që ju do të shijoni djathin e shkrirë por në varësi të shijes personale ajo mund të konsumohet edhe e ftohtë./AgroWeb.org