Byrek me Presh dhe Domate – Receta me Shije të Veçantë

3.2k 0

Një kombinim fantastik për shijen në një nga recetat më tradicionale të kuzhinës shqiptare.

Mësoni shkurt nga AgroWeb.org hapat e thjeshtë të përgatitjes së kësaj recetë lehtë në shtëpi dhe mrekullohuni me shijen e saj.

Përgatitja e Byrekut me Presh dhe Domate

Përbërësit

  • 1 pako me petë të gatshme
  • 1 kg presh (përdoret vetëm pjesa e bardhë)
  • 1 gotë me vaj ulliri
  • 1 qepë mesatare
  • 3-4 domate mesatare
  • kripë
  • piper
  • 350 g djathë i bardhë i thërrmuar
  • 1 gotë qumësht

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni mirë preshin dhe të grini hollë pjesën e bardhë të tij.

Vendosni një tigan të madh në zjarr.

Shtoni gjysmën e vajit të ullirit, kaurdisni qepët e grira, më pas shtoni pjesën e bardhë të preshit. Kaurdiseni derisa të ulet pak volumi i tyre dhe më pas shtoni domatet e grira hollë, kaurdisini bashkë derisa masa të mbetet pa lëng.

Shtoni kripën dhe piperin.

Kur ta hiqni nga zjarri shtoni djathin e thërmuar dhe përziejeni mirë.

Më pas, parangrohni furrën e sobës në temperaturë 180 gradë.

Lyeni një tepsi me vaj ulliri përmes një furçe kuzhine.

Shtoni në një tas pjesën tjetër të vajit të ullirit dhe një gotë me qumësht, kjo masë do përdoret për lyerjen e petëve që do shtroni për byrekun.

Shtroni 5-6 petët e para duke i lyer secilën me pak nga masa e qumështit me vaj ulliri.

Më pas shtroni gjysmën e gjellës së përgatitur me presh dhe domate.

Vijoni të shtroni 4-5 petë të tjera duke i spërkatur secilën me vaj ulliri dhe qumësht.

Më pas shtoni pjesën e mbetur të mbushjes dhe vijoni të shtroni petët e mbetura duke i spërkatur sërish me masën e vajit të ullirit dhe qumështit.

Futeni të piqet në furrë dhe në momentin që sipërfaqja do të marrë ngjyrë të artë të kuqërremtë lyejeni sërish me pak vaj ulliri dhe qumësht dhe fikeni furrën.

Lëreni të ftohet përreth 20 minuta dhe më pas mund ta servirni dhe shijoni./AgroWeb.org