Sodaniku është një ëmbëlsirë tradicionale, e përgatitur me miell misri.
Nëse ka një zonë ku amvisat spikasin në përgatitjen e tij ato janë Korça dhe Pogradeci. Por megjithatë, sot kjo ëmbëlsirë përgatitet gjerësisht në të gjitha trevat shqiptare.
Receta e kësaj ëmbëlsire tipike shqiptare është trashëguar brez pas brezi deri në ditët e sotme duke mahnitur njëlloj me shijen e tij.
Sodaniku përgatitej në raste festash të ndryshme, drekash apo darkash familjare ndërsa shërbehej si gosti ndaj miqve.
Në fakt Sodaniku gatuhet në dy mënyra, i ëmbël dhe i kripur.
AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e ëmbël të Sodanikut, ndërkohë që nëse dëshironi versionin e kripur të tij, në vend të sheqerit shtoni një lugë gjelle kripë.
Receta e kësaj ëmbëlsire ka pak përbërës por shija që përftohet pas përgatitjes së saj është krejt unike.
Mjafton pak miell misri, vezë, kos, pak sodë e sheqer dhe do të krijoni në pak kohë një ëmbëlsirë fantastike.
Kjo ëmbëlsirë e lehtë dhe krejt e thjeshtë për t’u përgatitur kombinohet në mënyrë fantastike me kafe, çaj por edhe me një gotë qumësht në mëngjes apo lëngje të ndryshme frutash.
AgroWeb.org përcjell më poshtë recetën tipike të përgatitjes së sodanikut krejt lehtë në shtëpi.
Një mënyrë fantastike për të ëmbëlsuar më të dashurit në familje por edhe të afërmit dhe miqtë.
Përgatitja e Sodanikut Krejt Lehtë në Shtëpi
Përbërësit
- 0.5 kg miell
- 3 kokrra vezë
- 1 gotë kos
- 1 gotë vaj
- 1 lugë kafeje sodë
- 1 gotë sheqer
Përgatitja
Hidhet dhallë ose kos, 1 gotë vaj, 1 lugë kafeje sodë dhe pak kripë derisa të laget e gjithë sasia e miellit.
Rrihen vezët me vajin dhe 1- 1.5 gotë kos.
Nëse duhet i ëmbël hidhet një gotë me sheqer.
Pasi janë rrahur të gjitha, shtohet mielli.
Përzihet gradualisht me sodë derisa formohet një brumë i rrjedhshëm si i kekut, pastaj hidhet në tepsi të lyer me vaj dhe lihet për 30 minuta.
Më pas piqet për 45 minuta në furrë të nxehtë.
Pas pjekjes e presim në copa me forma dhe madhësi të ndryshme./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje