Gliko me Patëllxhanë – Receta me Shije Mahnitëse

2.1k 0

Tradita e amvisave shqiptare në përgatitjen e glikove është fantastike.

Pavarësisht se glikotë tradicionale mbeten ajo e arrës, shalqinit dhe qershisë, një ndër më të veçantat mbetet glikoja e patëllxhanit.

Me shije magjepsëse dhe krejt unike, kjo gliko mahnit këdo që e provon ndaj dhe është një ndër delikatesat më të veçanta që amvisat përgatisin për të ëmbëlsuar më të dashurit e tyre por edhe për të gostisur miqtë e mysafirët.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së glikosë me patëllxhanë, një delikatesë fantastike e cila do t’ju përfshijë tërësisht me shijen e saj.

Për përgatitjen e kësaj glikoje duhen patëllxhanë të vegjël, të cilët gjenden lehtësisht në tregjet e fshatarëve.

Si të Përgatisim Glikonë e Patëllxhanit

Përbërësit

  • 1 kg patëllxhanë të vegjël
  • 1 kg sheqer
  • 2 lugë lëng limoni
  • 2 gjethe barbaroze
  • 2 gota të mëdha me ujë
  • Bajame ose arra (aq sa patëllxhanë kemi)
  • 2 lugë supe me gëlqere
  • 10 gota me ujë

Përgatitja

Përgatitja e glikosë me mini patëllxhanë është art më vete. Si fillim, me një thikë pastrojmë hollë lëkurën e mini patëllxhanëve si dhe u presim bishtat.

Pas këtij procesi, përgatisim në një enë ujin me gëlqere dhe vendosim patëllxhanët duke i lënë deri në tre orë.

Më pas mini patëllxhanët i nxjerrim nga uji me gëlqere dhe i shpëlajmë mirë me ujë të bollshshëm derisa të sigurohemi që uji i gëlqeres është pastruar tërësisht.

Pas këtij procesi, përgatisim sherbetin. Në një tenxhere hedhim ujin dhe sheqerin dhe i lëmë të vlojmë për rreth 15 minuta.

Më pas në enën me sherbet vendosim mini patëllxhanët dhe i valojmë përreth 10 minuta ndërsa zjarrin e vendosim në nivel të ngadaltë.

Pasi i heqim nga zjarri, i lëmë në tenxhere për një ditë të plotë ndërsa shtojmë vaniljen.

Ditën tjetër, u hedhim lëngun e limonit dhe i vendosim sërish në zjarr duke i vluar për pak, derisa sherbeti të lidhet.

Sipas dëshirës, mini patëllxhanëve mund t’u vendosim në brendësi edhe një bajame të bardhë ose thelpi arre.

Pas këtij procesi, glikotë e patëllxhanit janë gati. Pasi ftohen i vendosim në vazo qelqi, u hehdim nga një degë me lule barbaroze për aromë dhe i ruajmë në frigorifer./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.