Kek me Kajsi të Freskëta – Butësi dhe Ëmbëlsi Perfekte

2.6k 0

Zgjidhja më e mirë për të ëmbëlsuar ditët tuaja është një copë keku i ngrohtë me fruta.

Pa dyshim një ndër ëmbëlsirat më të shëndetshme që kërkon shumë pak kohë për t’u përgatitur.

I lehtë, i butë dhe me një shije që do të kënaqni veten dhe të gjithë familjarët tuaj.

Në recetën e sotme AgroWeb.org ju tregon se si të përgatisni fare lehtë kekun me kajsi të freskëta.

Veçantia e këtij keku është se ka në zemër të tij kajsitë e freskëta dhe plot lëng.

Ndiqni më poshtë hap pas hapi si ta përgatisni atë shpejt në shtëpitë tuaja.

Përbërësit

  • 300 gr miell
  • 100 ml qumësht
  • 80 ml vaj
  • 140 gr sheqer
  • 3 vezë
  • 4-5 kajsi të pjekura mirë
  • 1 pako pluhur fryrës për ëmbëlsira
  • sheqer pluhur sipas dëshirës

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të filloni me rrahjen e vezëve.

Në një enë, të thellë hidhni vezët dhe filloni t’i përzieni ato me anë të një rrahësi elektrik ose një piruni.

Kur vezët të jenë rrahur mirë, shtoni edhe sheqerin dhe vazhdoni me përzierjen derisa të shikoni që kokrrizat e tij janë shkrirë plotësisht.

Më pas shtoni qumështin të cilin sipas dëshirës mund ta zëvendësoni edhe me ujë në temperaturë ambienti dhe pak vaj.

Teksa vazhdoni me përzierjen, shtoni pak nga pak edhe miellin bashkë me fryrësin për ëmbëlsira.

Kur të jetë formuar një masë brumi kremoze e trashë dhe pa kokrra hidheni gjysmën e tij në një tavë rrethore me madhësi deri në 24 cm.

Ndërkohë prisni në copëza të vogla kajsitë dhe vendosini në një enë duke i përzier me dy lugë sheqer.

Pasi t’i keni përzier mirë, shtojini kajsitë në qendër të brumit që përgatitët më parë duke shtuar në fund gjysmën e mbetur të brumit.

Tundeni paksa tavën në mënyrë që brumi të shtrihet në të gjithë sipërfaqen e saj dhe bëni gati furrën për pjekje.

Lëreni në furrë për 35-40 minuta në temperaturë 180 gradë dhe kur të ketë marrë një pamje të artë keku juaj është gati.

Mund t’a servirni sipas dëshirës me pak sheqer pluhur sipër dhe keku me kajsi  do t’ju mrekullojë me shijen e tij të mirë./AgroWeb.org