Kek i Butë me Lëng Portokalli – Receta e Shpejtë me Shije të Mrekullueshme

16.8k 0

Çdo ëmbëlsirë që hamë shoqërohet me një kujtim dhe kujtimet më të bukura i ngjall padyshim aroma e agrumeve.

Portokallet në veçanti i japin ëmbëlsirave një shije freskie të pashoqe që nuk mund të konkurohet nga asnjë frut tjetër.

Ato kombinohen lehtë jo vetëm me çokollatën por edhe me mishin apo peshkun.

Jo më kot, portokallet njihen si ylli ndriçues i shumë recetave të ëmbla e të kripura.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një recetë shumë të thjeshtë të një keku me portokalle.

Kjo ëmbëlsirë gatuhet lehtë dhe shpejtë në kushtet e shtëpisë.

Ajo mund të përvetësohet lehtë nga amvisat për të sjellë një recetë të re në tryezën e familjes.

Si Të Përgatisni Në Shtëpi Kekun E Butë e Të Lehtë Me Portokalle

Përbërësit

  • 120 ml lëng të freskët portokalli,
  • Lëkura e një ose dy portokalleve,
  • 4 vezë,
  • 300 gramë sheqer
  • 120 ml vaj vegjetal,
  • 250 gramë miell,
  • 4 lugë çaji me pluhur pjekës
  • Gjysëm luge çaji me kripë,
  • 1 lugë çaji vanilje pluhur.

Përgatitja

Ndizeni furrën në 180 gradë.

Merrni një tepsi të pastër dhe lyejeni lehtë me yndyrë.

Lajini portokallet dhe më pas kalojini në rende.

Pasi keni përfituar masën e nevojshme të lëkurave, ndajini portokallet në gjysma dhe shtrydhini.

Në një mikser hidhni vezët dhe sheqerin dhe përziejini deri sa të formohet një masë e trashë.

Më pas shtoni vajin në mënyrë graduale.

Vazhdoni me përzierjen dhe shtoni miellin, pluhurin pjekës dhe kripën.

Më pas shtoni lëngun e portokallit dhe vazhdoni me përzierjen.

Në fund shtoni lëkurat e portokallit dhe vaniljen pluhur.

Brumin e kekut hidheni në tepsi dhe futeni në furrë.

Kekun piqeni për rreth dyzet minuta.

Hiqeni nga furra dhe lëreni të ftohet për 7-10 minuta.

Sipër kekut mund të hidhni sheqer pluhur.

Këtë ëmbëlsirë mund ta servirni jo vetëm në mëngjes por edhe në drekë apo në darkë./AgroWeb.org