Kek me Sherbet Qumështi – Receta me Ëmbëlsi të Mrekullueshme

3k 0

Kjo është një ëmbëlsirë shumë e veçantë.

E thjeshtë në përgatitje e me një shije që të përfshin tërësisht me ëmbëlsinë e saj.

Mund të përgatitet në çdo kohë, në raste festash a gëzimesh familjare, si gosti ndaj miqve apo edhe për të ëmbëlsuar veten dhe më të dashurit tuaj.

AgroWeb.org sjell më poshtë hapat që duhet të ndiqni për përgatitjen e kësaj ëmbëlsire krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Kekut të Shtëpisë me Sherbet Qumështi

Përbërësit

  • 10 lugë gjelle me miell
  • 10 kokrra vezë
  • 7 lugë gjelle sheqer
  • 7 lugë gjelle gjalpë të tretur
  • 1 pako me pluhur pjekjeje (e gjeni në markete)

Për sherbetin e qumështit

  • 500 ml qumësht
  • 10 lugë gjelle sheqer
  • Vanilje

 Përgatitja

 Si fillim AgroWeb.org ju udhëzon të ndani të bardhat dhe të verdhat e vezëve veçmas.

Të bardhat e vezëve kalojini në mikser derisa të krijohet një shkumë e fortë me vëllimin e shumëfishuar dhe që është e palëvizshme.

Më pas shtoni sheqerin tek masa e shkumës me të bardhat e vezëve dhe vijoni t’i përzieni vazhdimisht.

Në vijim, ngadalësojmë shpejtësinë e mikserit dhe shtojmë një nga një të verdhat e vezëve ndërsa vijojmë të përzjejmë masën.

Më pas, miellin e përzjejmë me gjalpin e tretur dhe pluhurin pjekës dhe e shtojmë tek masa e vezëve dhe e përzjejmë mirë me tel kuzhine në mënyrë që masa të jetë homogjene dhe të mos krijohen kokërriza.

Tavën ku do pjekim kekun e lyejmë me pak gjalpë apo vaj, i hedhim pak pluhur mielli në të gjithë sipërfaqen dhe më pas shtojmë brumin e përgatitur.

Tavën e fusim në furrë të parangrohur me 200 gradë. E lëmë në këtë temperaturë për 10 minuta dhe më pas temperaturën e furrës e ulim në 175 gradë dhe e lëmë që keku të piqet edhe për 20 minuta.

Ndërsa keku piqet, hedhim qumështin në një tenxhere bashkë me sheqerin dhe vaniljen dhe i lëmë të zjejë dhe të trashet në formën e shurupit.

Sapo keku të jetë pjekur e nxjerrim nga furra, i bëjmë disa vrima me pirun i hedhim sherbetin e qumështit të nxehtë gjithashtu dhe e lëmë të pushojë derisa ëmbëlsira të përthithë gjithë sherbetin.

Sipër sipas preferencës mund të shtoni arra të thërrmuara por edhe arra kokosi të grira gjithashtu./AgroWeb.org