Disa u thonë japrak, disa të tjerë dollma, por ka edhe akoma të tjerë që u thonë sarma me lakër të bardhë.
Të shijshme sa s’ka më, lakrat turshi të mbushura janë padyshim një ndër gatimet më fantastike shqiptare.
Të lehta e të plota në shije ashtu si edhe në përgatitje, ky është një ndër gatimet që nëse i ke përpara në tryezë vështirë se mund t’i rezistosh.
Është ndër recetat që ka fituar zemrën dhe oreksin e shqiptarëve prej shekujsh e shekujsh me radhë, trashëguar brez pas brezi duke vijuar edhe sot të ketë po të njëjtën shije e tërheqje ashtu si dikur.
AgroWeb.org u përcjell më poshtë recetën tipike me japrakë me lakër të bardhë, e thjeshtë për t’u përgatitur e për të kënaqur gjithë familjen me një vakt krejt të shijshëm.
Përgatitja Krejt Lehtë në Shtëpi
Përbërësit
- 1 lakër e plotë e bardhë
- Gjysmë kg mish i grirë
- Vaj ulliri
- 2 kokrra qepe
- 4 thelpinj hudhre
- Dy filxhanë të vegjël me oriz
- Piper i kuq
- Piper i zi
Përgatitja
Ndajmë të gjitha gjethet e lakrës së bardhë nga kërcelli.
I pastrojmë me ujë të bollshëm dhe i vendosim në një tas.
Qepën dhe hudhrat i grijmë hollë përmes një thike të mprehtë.
Në një tigan hedhim vajin e ullirit dhe e vendosim në zjarr.
Hedhim qepët dhe hudhrat dhe i kavërdisim për pak minuta derisa volumi i tyre të bjerë. Në këtë moment i heqim nga zjarri.
Hedhim mishin e grirë në një tas, hedhim gjithashtu qepët dhe hudhrat e kavërdisura, hedhim orizin, piperin e kuq dhe pierin e zi bashkë me kripën.
I përzjejmë derisa të sigurohemi që masa është e njëtrajtshme.
Mbushja e Gjetheve të Lakrës së Bardhë
Pasi kemi gati mbushjen, nisim përgatitjen e dollmave.
Hapim një gjethe lakër, në qendër të saj vendosim një lugë me mbushjen e përgatitur.
Kthejmë anët e lakrës duke mbështjellë mbushjen e më pas e paketojmë në formën e rolesë.
Vijojmë kështu edhe me gjethet e tjera duke ruajtur tre të tillë për më vonë.
Pasi kemi përgatitur të gjitha roletë e japrakëve të mbushur, tre nga gjethet e lakrës turshi të lënë mënjanë, i grijmë hollë dhe i vendosim në tenxhere.
Mbi to nisim të vendosim me rradhë roletë e dollmave.
Pasi i kemi vendosur të gjitha, i spërkasim me tre lugë vaj ulliri dhe pas u hedhim ujë të nxhetë derisa të mbulohen.
Më pas, tenxheren e mbulojmë dhe dollmat i lëmë të zjejnë për rreth 45-50 minuta.
Në fund nëse preferoni mund t’i servirni me disa feta limoni të prera hollë sipër.
Japrakët me lakër të bardhë mund të shoqërohen me supa të lehta dhe sallata të stinës./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje