Komposto Qershie – Mrekulli për Shijen dhe Shëndetin

4k 0

Në doni të freskoni veten dhe më të dashurit tuaj me një ëmbëlsi unike e delikate, përgatisni komposto me qershi.

Është një nga recetat më të ëmbla të stinës dhe qershitë janë në kulmin e sezonit të tyre.

Përgatitja e kompostos me qershi është shumë e thjeshtë dhe e lehtë por shija e saj freksuese është e mrekullueshme po aq sa edhe vlerat që ka për organizmin.

AgroWeb.org ju sugjeron një recetë të thjeshtë të përgatitjes së qershive si komposto.

Përgatitja e Kompostos së Qershisë Krejt Lehtë në Shtëpi

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për dy kavanoza 500 – 600 gr secili)

  • 1 kg qershi
  • 6-7 lugë gjelle sheqer
  • 1 kavanoz ujë
  • 2-3 lugë gjelle lëng limoni

Përgatitja

Për përgatitjen e kompostos së qershive duhen qershi kokërr plota dhe me ngjyrë të fortë, të kuqe ose të zeza.

Si fillim, AgroWeb.org ju këshillon që të steriziloni vazot e qelqit që do përdorni për përgatitjen dhe mbajtjen e kompostos.

Pastroni qershitë nga bishtat, nëse dëshironi mund t’u hiqni dhe bërthamat, lajini me ujë të rrjedhshëm dhe lërini që të kullojnë mirë.

Mbushni vazot e sterilizuara me qershi.

Në një tenxhere të madhe, shtoni ujin, sheqerin dhe lëngun e limonit.

Pasi sheqeri nis të shkrijë lëreni shurupin të ziejë edhe për 5 minuta, më pas largojeni nga zjarri dhe mbushini kavanozat me qershi me shurupin e përgatitur, i cili duhet të jetë i ngrohtë.

Nëse preferoni brenda kavanozave mund të vendosni nga një shkop kanelle, disa karafila apo edhe pak vanilje.

Lërini rreth 10 minuta dhe më pas mbyllini kavanozat me kapakët e tyre.

Kavanozat e vulosur mirë futini në një tenxhere me ujë deri nën kapakët e kavanozave pa i mbuluar tërësisht ata.

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe lëreni të zjejë përreth 20 minuta.

Më pas largojini vazot nga zjarri dhe lërini të ftohen dhe komposto është gati.

Kavanozat me komposto mund t’i ruani në një vend të freskët ose në frigorifer./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.