Kungulleshka të Pjekura në Qumësht – Tradita e Veçantë Shqiptare

3.5k 0

Përgatitja e qumështorit me kungulleshka është një traditë e veçantë, kryesisht e amvisave të Korçës.

Është një gatim fantastik në shije dhe kombinim i përkryer i kungulleshkave dhe qumështit.

Ky specialitet përgatitet në dy mënyra, të ëmbël dhe të kripur, e në të dyja rastet shija e tij është krejtësisht unike.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë këtë recetë fantastike, e cila përgatitet krejt lehtë në shtëpi. Këtu do të gjeni recetën e kripur por nëse do të preferoni versionin e ëmbël, mjafton që të përdorni sheqerin në vend të kripës.

Përgatitja e Qumështorit me Kungulleshka

Përbërësit

  • 2 peta byreku të përgatitura vet ose të gatshme
  • 800 gr kunguj të njomë
  • 2 lugë gjelle miell
  • 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
  • 4 gota qumësht
  • 3 kokrra vezë
  • Kripë
  • Dy feta buke të thekura të grira në rende

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju sugjeron të pastroni kungujt dhe më pas t’i grini në një rende ose pritini në feta.

Nëse i grini kungujt atëherë kullojini nga lëngu dhe lërini mënjanë.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon që në një tigan të skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur.

Shtoni qumështin e kripën dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme.

Vijoni ta përzieni dhe sapo masa e qumështit të trashet pak largojeni nga zjarri, shtoni vezët e rrahura dhe përziejeni masën derisa të bëhet homogjene.

Ndërkohë, në një tepsi shtroni dy petat duke i spërkatur me pak vaj ulliri ose pak gjalpë të freskët.

Më pas, shtroni në të gjithë sipërfaqen e petës bukën e thekur të grirë  e më pas kungujt.

Spërkatini me pak kripë e pak vaj ulliri dhe mbulojeni të gjithë me masën e qumështit të përgatitur.

Sipër spërkateni me pak gjalpë dhe futeni të piqet në furrë të parangrohur në 200 gradë.

Vlerat e kungujve

Kungujt e njomë kanë pak kalori. Ato janë një zëvëndësues i mirë për ushqimet e pasura me kalori.

Për më tepër, kombinimi i fibrës dhe ujit (95%) që gjenden tek kungujt e njomë mbajnë nën kontroll oreksin tuaj, ju ndihmojnë të digjni kalori dhe ju japin shumë energji.

Për më tepër, kjo perime është e pasur me antioksidantë, vitaminë A dhe C.

Kungujt e njomë janë të pasur me fibër dhe rrjedhimisht ndihmojnë në uljen e kolesterolit.

Për më tepër, kungujt e njomë largojnë toksinat e tepërta nga organizmi./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.