Lazanjë me Kungull – Receta që Duhet të Provoni

3.6k 0

Lazanja është sinonim i shijes së pasur e të mirë.

Mund ta keni provuar me mish, salcë, kërpudha, beshamel, perime e shumë përbërës të tjerë.

Por në recetën e sotme do ju tregojmë një mënyrë të re përgatitje, lazanjen me kungull.

Ndiqni mënyrën e saktë të përgatitjes dhe shijojeni në shtëpitë tuaja.

Përbërësit

  • 1 kungull mesatar
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • 1 lugë çaji kripë
  • Një majë luge arrë moskat
  • 12 peta lazanje
  • 65 gr gjalpë
  • 120 gr qepë
  • 3 thelpinj hudhër
  • 65 gr miell
  • 600 ml qumësht
  • 65 gr djathë kaçkavall i grirë
  • 250 gr djathë i bardhë ose mozzarella

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb ju këshillon të ndizni furrën në temperaturën 200 gradë.

Qëroni kungullin dhe priteni në kubikë të vegjël dhe shtrojeni në një tavë të lyer me vaj ulliri, pak kripë dhe arrë moskat.

Futen të piqet për 30 – 35 minuta duke e ulur nxehtësinë e furrës në 180 gradë.

Ndërkohë zieni petët e lazanjës duke ndjekur edhe udhëzimet që kanë zakonisht në ambalazhim për të qenë sa më të saktë.

Zierja e tyre në një tenxhere me ujë nuk duhet të zgjasë më shumë se 10 minuta, derisa të fillojnë të zbuten paksa, por jo tërësisht.

Nëse janë të freskëta kërkojnë një kohë edhe më të vogël zierje.

Petët e lazanjës tuaj duhet të jenë “al dente” prandaj kini kujdes me kohën e zierjes së tyre.

Teksa bëni këtë process në një tigan shkrini gjalpin në nxehtësi mesatare, shtoni qepën e grirë hollë dhe skuqeni për 6-7 minuta.

Më pas shtoni po aty edhe hudhrat e grira duke i gatuar edhe për 1 minutë tjetër.

Duke përzier, hidhni miellin, pak kripë dhe qumështin derisa të formohet salca e zaknëshme e trashë.

Sipas dëshirës në këtë pikë mund të shtoni erëza si trumza apo të tjera.

Lëreni tiganin në zjarr për 8 -10 minuta derisa salca të trashet dhe kur ta hiqni nga zjarri shtoni djathin e grirë kaçkavall.

Tani duhet të jeni zier petët e lazanjës, thajini me kujdes dhe vendoseni në një pjatë pa u prishur.

Bëni gati një tavë pjekje katrore dhe shtroni 3 petët e para të lazanjës ndërkohë nxirrni kundullin nga furra dhe  rreth 1/3 hidhjani sipër petëve.

Spërkasni të gjithë sipërfaqen me salcën e bardhë që përgatitët e në fund vendosni një shtresë me djathë të bardhë ose mozzarella.

Bëjeni këtë proces deri në tre shtresa, e derisa të gjithë përbërësit të kenë mbaruar.

Futeni tavën të piqet e mbuluar me një kapak apo me letër furre për 30 minuta, më pas hiqni kapakun dhe lëreni të piqet edhe për 30-35 minuta të tjera derisa të marrë ngjyrë të artë.

Nxirreni nga furra, lëreni të ftohet për 10 minuta e më pas priteni për ta shërbyer./AgroWeb.org