Mafishe nga Delikatesat e Ëmbla Shqiptare

5.2k 0

Mafishet janë një ndër delikatesat e hershme të kuzhinës shqiptare. Dikur ato kanë qenë ëmbëlsirat e para që ofroheshin kudo në pastiçeri por edhe në shtëpi.

Një ndër ëmbëlsirat, me të cilat nënat dhe gjyshet përherë kënaqnin jo vetëm më të vegjëlit por gjithë familjen me shijen e tyre sa delikate aq edhe fantastike.

Mafishet apo të njohura të ndryshe me emrin marenga përgatiten krejt lehtë dhe shpejt dhe kanë si përbërës kryesor vezët dhe sheqerin.

Por ato mund të kombinohen me shije të ndryshme duke shtuar lëng limoni, portokalleje, luleshtrydheje apo lëngje të ndryshme frutash.

Mund të shtojmë pak kakao, kafe ose kanellë.

Gjithashtu mafishet mund të përgatiten edhe në formën e një sanduiçi të ëmbël të mbushur brenda me krem, reçelra të ndryshëm, çokokrem etj.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën tipike të përgatitjes së mafisheve në shtëpi. Një mënyrë fantastike për të ëmbëlsuar më të dashurit dhe të afërmit tuaj.

Përgatitja e Mafisheve në Shtëpi

Përbërësit

  • 4 të bardha vezësh
  • 100 gr sheqer i bardhë
  • 100 gr sheqer pluhur

Përgatitja

Në një tas rrahim të bardhat e vezëve derisa shkuma e krijuar të jetë e qendrueshme.

Më pas, shtojmë pak sheqer dhe nisim të rrahim masën përsëri për disa sekonda.

E përsërisim të njëjtin proces derisa të kemi hedhur të gjithë sheqerin.

AgroWeb.org ju sugjeron të përsërisni procedurën deri sa të keni përdorur tërë sheqerin e bardhë.

Shkuma në këtë moment duhet të jetë e trashë dhe ngjitëse.

Në vijim, shtojmë pak nga sheqeri pluhur dhe e përziejmë.

Përsërisim të njëjtën gjë dhe 2 herë të tjera dhe shkuma në këtë moment duhet të jetë më e lehtë dhe e butë.

Vendosim topa shkume në tepsitë e mbuluara me letër furre duke u kujdesur që topat të kenë largësi të mjaftueshme nga njëri tjetri.

I pjekim në furrë në 105 gradë për rreth 2 orë ose deri sa mafishtja të jetë bërë krokante./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.