Makarona me Gjalpë dhe Bukë të Thërrmuar

1k 0

Makaronat me gjalpë, açuge dhe bukë të thërrmuar janë të lehta në përgatitje dhe ideale për një drekë të shëndetshme ose për një darkë mes miqsh.

Një pjatë plot shije, që përgatitet me disa përbërës të thjeshtë, të cilën do të keni gati në 10 minuta.

Edhe pse këtë recetë mund ta përgatisni për gjatë gjithë vitit, ajo do t’i japë më tepër lezet tryezës dhe shijes tuaj në verë.  Dëshira për të qëndruar para sobës në vapë nuk është shumë e madhe apo jo?

AgroWeb.org ju fton të mësoni mënyrën e përgatitjes duke ndjekur recetën si më poshtë:

Përbërësit

(për 4 persona)

  • 120 g gjalpë
  • 120 g açuge
  • 320 g makarona të gjata
  • kripë për shije
  • vaj ulliri
  • 150 g thërrime buke

Përgatitja

Fillimisht lëreni gjalpin të shkrijë për disa minuta.

Më pas shtoni në gjalpë açuget dhe kalojini në një mikser për t’i përpunuar.

Tani vazhdoni duke ngrohur pak vaj ulliri në një tigan, shtoni aty thërrimet e bukës, pak kripë dhe skuqini lehtë derisa të marrin ngjyrë të artë.

Lërini mënjanë dhe zieni makaronat në ujë të bollshëm me kripë.

Pasi makaronat të ziejnë kulloni ujin e tyre, duke ruajtur pak për hapin tjetër.

Shtoni tek makaronat açuget, thërrimet e skuqura dhe kuardisini në zjarr të ulët.

Hidhni edhe pak nga uji i makaronave që ruajtët dhe vazhdoni t’i përzieni derisa ai të shterojë.

Pas kësaj mund t’i shërbeni dhe t’i shijoni makaronat tuaja krokante./AgroWeb.org