Mjaltëza të Buta me Ëmbëlsi Mahnitëse – Si t’i Përgatisni

4.2k 0

Mjatëzat me sherbet janë një ëmbëlsirë fantastike me shije unike që padyshim do magjepsin gjithë familjen e më të dashurit me shijen e tyre.

Receta e përgatitjes së tyre është krejt e thjeshtë dhe përgatitet shumë lehtë në shtëpi.

Mjaltëzat janë një delikatesë e veçantë të cilat mjafton t’i përgatisësh njëherë e më pas shndërrohen ndër ëmbëlsirat më të preferuara që përgatiten në shtëpi.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e mjaltëzave krejt lehtë.

Receta e Përgatitjes së Mjaltëzave

Përbërësit

Për sherbetin

  • 2 gota ujë
  • 1 gotë sheqer
  • 1 lugë gjelle lëng limoni
  • Një lugë kafeje vanilje

Për brumin

  • 1 gotë e gjysmë me miell gruri
  • 1 lugë çaji me sodë buke
  • 2 kokrra vezë
  • 5 lugë gjelle gjalpë të freskët
  • 150 gr krem djathi(e gjeni në supermarket)
  • Mjaltë

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju sugjeron të nisni me përgatitjen e sherbetit.

Hidhni në një tenxhere ujin dhe sheqerin, vendoseni në zjarr dhe lëreni derisa sheqeri të shkrijë dhe masa të nisë të vlojë.

Sapo nis të vlojë hidhni lëngun e limonit dhe vaniljen.

Lëreni të ziejë dhe dy minuta më shumë dhe më pas hiqeni nga zjarri.

Ndërkohë parangrohni furrën e sobës në temperaturën 180 gradë celsius.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon që në një tas të hidhni miellin e situr, hapni një gropë dhe hidhni aty vezët.

Përziejini me duar, shtoni më pas sodën, gjalpin dhe kremin e djathit, të cilin më parë duhet ta përzieni fortë përmes një luge.

Përziejini të gjitha bashkë dhe punojeni brumin derisa të përftoni një masë të butë. Nëse brumi ngjitet në duar atëherë shtoni edhe pak më shumë miell.

Shtroni një letër pjekjeje në tavë.

Më pas, ndani brumin në toptha të vegjël, para se të jepni formën e rrumbullakët hapini në formë të sheshtë, hidhni disa pika mjalti në mes dhe më pas mbyllini me kujdes në formën e një topthi jo më të madh se një kokërr arre.

Vijoni kështu me të gjithë topthat dhe më pas vendosini në tavën ku keni shtruar letrën e pjekjes.

Futini në furrë të piqen përreth 20 minuta derisa ngjyra e tyre të bëhet e artë.

Pasi janë pjekur, nxirri nga furra dhe lërini të ftohen përreth 20 minuta.

Më pas, vendosni sherbetin sërish në zjarr, lëreni derisa të nisë të vlojë dhe në këtë moment shtoni aty Mjaltëzat.

Lërini të ziejnë bashkë përreth 15 minuta në mënyrë që mjaltëzat të përthithin gjithë sherbetin dhe të zbuten.

Më pas, largojini nga tenxherja, vendosini në një pjatancë dhe lërini të ftohen.

Për më shumë shije mund t’i shërbeni me akullore të freskët apo me pak arra të thërrmuara sipër./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.