Musaka me Patëllxhanë – Shije Fantastike në Tryezë

3k 0

Kuzhina shqiptare është e pasur në receta e gatime speciale për çdo perime.

Gjellë e supa të shijshme, tava të ndryshme furre etj, i ofrojnë shije të mrekullueshme tryezës në çdo stinë.

E tillë është edhe receta e përgatitjes së musakasë me patëllxhanë.

Më poshtë do të ndiqni nga Agroweb.org të gjithë hapat e përgatitjes së musakasë me patëllxhanë në shtëpi.

Përgatitja e Musakasë me Patëllxhanë

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • 1.5 kg patëllxhanë
  • 1 filxhan çaji me vaj ulliri
  • 2 kokrra mesatare qepë të thata
  • 1 filxhan çaji me mish të grirë
  • 2-3 kokrra mesatare domate
  • Kripë
  • Piper
  • Majdanoz

Për salcën beshamel 

  • 3 lugë gjelle miell
  • 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
  • 2 deri 3 gota qumësht
  • 2 kokrra vezë
  • 3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
  • Kripë

Përgatitja e Musakasë

Patëllxhanëve u pritet bishti, u qërohet lëkura në 2-3 rripa për të gjati, priten në feta pjerrtazi, skuqen lehtë dhe lihen mënjanë. Në yndyrën e mbetur përgatitet kimaja.

Në vijim, AgroWeb.org ju këshillon të kaurdisni qepët e grira hollë, më pas shtoni mishin e grirë dhe kaurdiseni për disa minuta. Në vijim, shtohen domatet e grira në rende, hidhet kripë, piper, majdanoz, kaurdisen për disa minuta dhe u hidhet 1-2 gota ujë.

Lihet që të ziejnë derisa mishi të jetë gati dhe uji të avullojë.

Ndërkohë parangrohni furrën, lyejeni tepsinë me pak vaj dhe që musakaja të mos ngjitet, tepsinë lyejeni me pak galetë (bukë e thekur e grirë në rende).

Shtrohet një rresht me patëllxhanë duke i vendosur sipër njeri tjetrit në mënyrë që të mbulohet fundi i tepsisë dhe mbushja të mos dalë poshtë.

Sipër hidhet kimaja, përsëri një shtresë me patëllxhanë, e më pas me kima dhe vijohet kështu duke bërë 2-3 shtresa. Shtresa e fundit duhet të jetë me patëllxhanë.

Mbulohet me salcë beshamel spërkatet me gjalpë dhe piqet në furrë.

Përgatitja e beshamelës

Në tigan skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur.

Shtoni qumështin dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme.

Shtoni vezët e rrahura dhe vijoni ta përzieni.

Shtoni kripën sipas dëshirës si dhe djathin kaçkavall të grirë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.