Kuzhina shqiptare është fantastike në shijet e larmishme që ofron.
Receta të ëmbla dhe të kripura, shije plota e të lehta kënaqin nepsin dhe oreksin e gjithkujt që i provon.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë mënyrën e përgatitjes të musakasë me presh dhe krem qumështi, një recetë e mrekullueshme e cila përgatitet krejt lehtë në shtëpi.
Musakaja shoqërohet me sallata të freskëta të stinës, turshi të ndryshme, kos apo dhallë të freskët etj.
Një gatim fantastik që do mbledhë me siguri gjithë familjen rreth tryezës.
Përgatitja e musakasë me presh
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
- 500 gr mish të grirë,
- 700 gr presh
- Pak gjalpë të freskët
- Vaj ulliri
- 1-2 domate,
- Majdanoz,
- Kripë,
- Piper i zi,
Për kremin e qumështit (beshamelën)
- 3 lugë gjelle miell
- 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
- 2 deri 3 gota qumësht
- 2 kokrra vezë
- 3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
- Kripë
Për beshamelën: Në tigan skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur. Shtoni qumështin dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme.
Shtoni vezët e rrahura dhe vijoni ta përzieni. Shtoni kripën sipas dëshirës si dhe djathin kaçkavall të grirë.
Përgatitja
Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që në një tenxhere të hidhni mishin e grirë me pak vaj ulliri dhe gjalpë të freskët.
Kaurdiseni për 15 minuta dhe më pas shtoni preshin e grirë hollë.
Hidhni kripë dhe piper të zi dhe kaurdiseni derisa volumi i preshit të bjerë. Shtoni një gotë me ujë dhe kaurdiseni herë pas here derisa uji të avullojë.
Më pas shtojmë domatet e grira dhe majdanozin e prerë hollë i kaurdisim të gjitha bashkë.
Më pas shtroni në sipërfaqe kremin e qumështit (beshamelën) që keni përgatitur dhe piqeni në furrë të parangrohur derisa sipërfaqja e tavës të marrë ngjyrën e kuqërremtë të pjekjes.
Musakaja përgatitet me të gjitha llojet e perimeve të tjera, si me patëllxhanë, patate apo edhe kungulleshka etj./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje