Omletë me Spinaq Për Një Mëngjes Plot Shije e Shëndet

4.2k 0

Spinaqi dhe veza janë nga burimet më të fuqishme të hekurit dhe proteinave. Dy ushqime bazike për mirëqenien e organizmit, në një pjatë të vetme për vaktin më të rëndësishëm të ditës: atë të mëngjesit.

Një mënyrë fantastike për të mbajtur trupin dhe organizmin në formë, për të nisur ditën mbarë me energji dhe shëndetshëm.

Veza është një ndër produktet që mbart vlera të jashtëzakonshme ushqyese renditur në listën e 10 super-ushqimeve dhe nuk ka mëngjes më të këndshëm se vezët, sido të jenë të gatuara.

Vezët janë një burim i shkëlqyer i kompleksit të proteinave cilësore dhe nga ana tjetër ofrojnë pak kalori. Një vezë e plotë përmban 5.5 gramë proteinë dhe 68 kalori.

Spinaqi është një nga barishtet më të kërkuara dhe më të përdorura nga konsumatorët.

Ai njihet për vlerat e tij ushqyese dhe është parë gjithnjë si një bimë me aftësi të jashtëzakonshme për të të kthyer energjinë, që rrit vitalitetin dhe përmirëson cilësinë e gjakut.

E para është se është i pasur me hekur, i cili luan një rol kryesor në funksionimin e qelizave të kuqe të gjakut.

Më poshtë AgroWeb.org sugjeron përgatitjen e një recete të thjeshtë por të pasur në vlera të omletës me spinaq dhe djathë të bardhë.

Omleta me Spinaq

Përbërësit

(Përbërësit e kësaj recete janë për dy persona, sasia përzgjidhet bazuar në numrin e personave për të cilët do gatuhet)

  • Dy – tre kokrra vezë
  • Pak qumësht
  • Një tas mesatar me spinaq të freskët
  • Djathë i bardhë i thërmuar
  • Vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper
  • Pak hudhër (Sipas dëshirës)

Përgatitja

Pastrojmë me ujë të bollshëm spinaqin, e këpusim disa herë me dorë dhe e vendosim në një tigan mesatar të zjejë me ujin e tij për disa minuta derisa uji të avullojë.

Nga ana tjetër, vezët i rrahim në një tas bashkë me qumështin, shtojmë spinaqin e zjerë, kripën dhe piperin.

I përzjejmë të gjitha bashkë dhe i hedhim në tigan, ku kemi hedhur më parë pak vaj ulliri.

Pasi piqet njëra anë e omletës, e kthejmë nga ana tjetër.

Pasi është pjekur nga të dyja anët, e heqim dhe e kalojmë në një pjatancë ku sipër i hedhim djathë të bardhë të thërrmuar dhe sipas preferencës pak hudhër të grirë gjithashtu./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.