Si të Përgatisni Pastashu Vetë në Shtëpi – Hapat që Duhet të Ndiqni

3.7k 0

 Një nga ëmbëlsirat më të dashura e më të kërkuara në pastiçeritë shqiptare.

Të mbuluara me çokollatë e të mbushura me krem, të lehta e delikate në shije, pastatshu vijojnë të mbeten ndër më të preferuarat e shqiptarëve.

Një recetë e veçantë që kërkon pak dashuri dhe durim në përgatitje e si rezultat do të keni një ëmbëlsirë të mrekullueshme për të kënaqur veten, familjen apo më të dashurit tuaj.

Vërtetë sot pastiçeritë ofrojnë pa fund ëmbëlsira mes të cilave edhe pastatshu por të përgatitura në shtëpi, shija e tyre është thjeshtë mahnitëse.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së këtyre ëmbëlsirave fantastike në shtëpi.

Përgatitja e Pastave Shu në Shtëpi 

Përbërësit

Për 10 pasta duhen

  • ¾ e gotës së ujit miell
  • 3 kokrra vezë
  • 2 lugë gjelle gjalpë
  • ½ lugë gjelle sheqer
  • pak kripë

Për kremin e pastiçerisë

  • ¾ e gotës së ujit qumësht
  • 1 filxhan kafeje miell
  • 1 kokërr vezë
  • 1 filxhan kafeje sheqer

Për çokollatën

  • 1 pako me çokollatë

Përgatitja

Në një tenxhere hidhet qumësht ose ujë, kripë, gjalpë e sheqer, përzihen të gjitha dhe masa ngrohet derisa merr valë.

Në këtë masë hidhet mielli i situr, mbahet në zjarr të dobët dhe me një lugë druri përzjehet shpejt, derisa të krijohet një masë e njëllojtë pa kokrra, e cila shkëputet lehtë nga tenxherja dhe luga.

Masa hiqet nga zjarri, ftohet deri në 60-70 gradë, hidhen vezët një e nga një me ndërpreje duke i përzier, derisa të krijohet një masë e njëllojtë.

Brumi duhet të bëhet mjaft i trashë dhe pak elastik.

Brumi i përgatitur hidhet me anën e një qese pasticȩrie në një tepsi të thatë në formë gjatoshe 6-7 cm dhe piqet në furrë të nxehtë në temperaturë 230-240 gradë për 12-15 minuta.

Pasi ftohet, me thikë sharrë, priten kapakët dhe mbushen me krem pastiçerie. Sipërfaqja spërkatet me çokollatë e shkrirë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.