Si Mund të Përgatisni Qumështin Panda Vetë në Shtëpi

9.6k 0

Qumështi i kondensuar është një nga tundimet më të mëdha në kuzhinë, për të mitur e të rritur.

Që kur ky qumësht iu prezantua konsumatorit shqiptar, një fetë buke me qumësht të kondensuar të derdhur në formë rrethore, ishte alternativa superiore ndaj bukës me sheqer.

Në ditët e sotme, në raftet e supermarketeve mund të gjenden lloje të ndryshme industriale të qumështit të kondensuar.

Për fat të mirë këtë qumësht mund ta përgatisni lehtë në kushtet e shtëpisë duke i dhuruar kuzhinës një ëmbëlsues që mund të pasurojë recetat tuaja.

Çfarë Është Qumështi I Kondensuar

Qumështi i kondensuar vjen nga qumështi i lopës që ka humbur pjesën më të madhe të përmbajtjes ujore.

Më pas pjesës së mbetur i shtohet sheqer.

Ky qumësht përdoret gjerësisht në ëmbëlsira të ndryshme.

Si Të Përgatisni Qumështin E Kondensuar

Zierja e qumështit me sheqer në një temperaturë të ulët dhe të kontrolluar do të prodhojë një shurup të trashë qumështi.

Në momentin që ai ftohet, qumështi trashet dhe është gati për përdorim.

Atë mund ta ruani në frigorifer dhe ta mbani për javë të tëra.

Përbërësit:

450 ml qumësht me yndyrë të plotë

140 gramë sheqer të bardhë.

Përgatitja:

Hidhni qumështin dhe sheqerin në një tenxhere të vogël.  Lërini të ngrohen në një temperaturë të ulët deri sa sheqeri të shkrihet.

Më pas rriteni temperaturën në një nivel mesatar.

Kur masa e qumështit të marrë valë mos e përzieni sepse përndryshe do të kristalizohet.

Lëreni të ziejë ngadalë për 35-40 minuta ose deri sa qumështi të marrë një ngjyrë më të errët që anon nga grija.

Në këtë pikë, sasia e qumështit do të jetë përgjysmuar dhe do të jetë trashur.

Ju mund të vëreni formimin e një shkume në sipërfaqe, të cilën mund ta hiqni duke përdorur një lugë druri.

Më pas, hiqeni nga zjarri dhe hidheni në një kavanoz qelqi. Prisni deri sa qumështi të jetë ftohur tërësisht përpara se të vendosni kapakun.

Kini parasysh që pas disa orësh, qumështi mund të trashet ndjeshëm.

Qumështi i kondensuar i përgatitur sipas metodës së mësipërme mund të përdoret për 6 muaj./AgroWeb.org