Peshk në Tjegull – Shije Fantastike në Shtëpi

1.7k 0

Është një recetë fantastike, ideale për t’u përgatitur gjatë fundjavës.

Përgatitet krejt lehtë dhe shpejtë në shtëpi, e padyshim shija e saj mbush gjithë shtëpinë me dëshirën për ta shijuar.

Peshku në tjegull është traditë e Shkodrës, ky specialitet është një ndër pjatat kryesore me të cilën mburret çdo familje shkodrane ndërsa është gjithashtu si specialiteti më i mirë i restoranteve të zonës.

Tava në tjegull është një mënyrë fantastike për t’i dhënë peshkut një shije edhe më superiore, por në mungesë të saj kjo recetë mund të gatuhet në tavat e zakonshme që keni në shtëpi.

Peshku në tjegull mund të gatuhet në mënyra të ndryshme dhe me kombinime të ndryshme perimesh.

Përgatitja e Peshkut me Perime     

(Përbërësit më poshtë janë për 4 persona)

  • Peshk Kocë ose Levrek (lloji i peshkut përzgjihet sipas preferencës)
  • 1 kokërr qepë
  • 3-4 thelpinj hudhër
  • 500 gr patate
  • 500 gr domate
  • 3-4 speca
  • 2-3 karrota
  • Piper
  • Kripë
  • Vaj ulliri
  • Lëngu i një kokërr limoni
  • Majdanoz

Përgatitja

Peshkun e pastrojmë me ujë të rrjedhshëm. Grijmë hollë qepët dhe hudhrat.

Presim patatet, karrotat dhe grijmë domatet hollë.

Vendosim perimet bashkë me qepët e domatet në tavë, i kriposim mirë, u hedhim piper dhe vaj ulliri dhe vendosim peshqit sipër.

I lëmë rreth një orë që të marinohen dhe më pas i fusim në furrë të parangrohur duke i hedhur edhe një gotë me ujë.

Pasi janë pjekur, i nxjerrim nga furra dhe i spërkasim sipër me lëngun e limonit.

Si të Dalloni Peshkun e Freskët

Peshku duhet të jetë i freskët. Kjo është një nevojë e panegociueshme për çdo konsumator, dhe freskia nuk duhet të merret për e mirëqenë.

Kur të afroheni tek zona e peshkut duhet të ndieni aromën e detit, kripës dhe jodit. Kjo është aroma e freskisë.

Peshku i freskët shkëlqen. Është kaq e thjeshtë! Sa më i freskët të jetë peshku aq më e pastër dhe shkëlqyese duket lëkura e tij.

Ndoshta e keni të vështirë ta prekni, por peshku i freskët nuk qëndron dot në dorë sepse ka tendencën të rrëshqasë. Shikojini duart e shitësit me kujdes, bashkë me mënyrën si qëndron peshku në to.

Peshku duhet të jetë mjaftueshëm i ngurtë dhe i tendosur për të qëndruar horizontalisht.

Mishi i peshkut të freskët nuk shkëputet lehtë nga pjesa kurrizore. AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.