Petulla Speciale me Qumësht – Të Buta, të Ngrohta, të Shijshme

15.6k 0

Të ëmbla apo të kripura, petullat janë gjithmonë perfekte. Të dashura si për të rriturit dhe për fëmijët, ato shijohen në çdo periudhë të vitit.

Recetat janë të shumta, nga petullat me kos e deri tek ato me ujë të gazuar, sot AgroWeb.org ju sjell një tjetër recetë që ia vlen të provohet.

Një këshillë paraprake, përgatisni shumë pasi janë aq të shijshme sa duket sikur mbarohem sapo vendosen në tavolinë.

Petullat me qumësht janë të lehta dhe të parezistueshme, sa nuk do të pushoni dot së ngrëni.

Përbërësit

(Me përbërësit e mëposhtëm mund të përgatisni një pjatë me petulla, nëse preferoni të përgatisni sasi më të mëdha, dyfishoni përbërësit)

  • 2 kokrra vezë
  • Gjysmë luge çaji me limontos
  • Gjysmë luge çaji me sodë buke
  • Gjysmë luge çaji me sheqer dhe kripë
  • 100 ml qumësht
  • Gjysmë gotë uji me miell

Përgatitja

Në një tas hidhni limontosin, sodën e bukës sheqerin dhe kripën e më pas shtoni qumështin dhe vezët të cilat i keni përzjerë më parë.

Me ndihmën e një piruni apo teli kuzhine përzjejeni derisa përbërësit të jenë tretur plotësisht.

Mund t’iu duhet rreth 5-7 minuta për të arritur masën e duhur.

Më pas filloni të shtoni miellin, duke e ndarë masën në lugë gjelle.

Pra hidhni lugën e parë, përzjejeni derisa mielli të jetë bashkuar plotësisht me përbërësit e tjerë, dhe më pas hidhni lugën tjetër.

AgroWeb.org ju sugjeron që miellin ta kaloni në një sitë më parë, diçka e tillë do t’i bëj petullat më poroze dhe më buta.

Brumi që do të formoni duhet të jetë më i trashë se brumi i krepave dhe më i hollë se ai i petullave të zakonshme.

Nëse shikoni që brumi është shumë i lëngshëm mund t’i shtoni dhe pak miell.

Kjo mënyrë përgatitjeje, nuk kërkon që brumi i petullave të lihet të pushojë por përgatiten menjëherë sapo vaji të ngrohet.

Në zjarr vendosni një tenxhere të thellë dhe hidhni vaj për skuqje.

Kur vaji të jetë nxehur, merrni me lugë çaji brumin dhe hidheni për ta skuqur.

Pasi petullat të kenë marrë një ngjyrë të artë, hiqini nga tenxherja dhe vendosini në një pjatë ku më parë keni shtruar një letër kuzhine.

Është e rëndësishme që të përdorni letër kuzhine pasi ajo do të përthithi vajin e tepërt dhe do të ndalojë skuqjen e tepërt të petullës.

Pasi të jetë ftohur pak mjafton të zgjidhni se i doni të kripura apo të ëmbla.

Kjo recetë është perfekte për çdo vakt, dhe shoqërohet me një shumëllojshmëri produktesh duke filluar nga mjalti, reçeli, djathi e deri tek sheqeri./AgroWeb.org