Pure Patatesh me Djathë e Pjekur Në Furrë

2.5k 0

Pureja me patate është një nga ushqimet më të shijshme të cilës nuk i thotë ‘jo’ as një fëmijë e as një i rritur.

Ajo gatuhet lehtë dhe ka nevojë pak përbërës.

Pureja kremoze përgatitet me patate të ziera, kripë, gjalpë edhe me qumësht.

Ajo shoqërohen në mënyrë të shkëlqyer me qofte shtëpie apo mishra të ndryshme.

Në disa raste, amvisat përdorin edhe djathin bebe ose 2-3 lugë salcë kosi për t’i dhënë puresë butësinë, shkriftësinë dhe shijen e mirë.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një recetë tjetër të përgatitjes së puresë, kësaj here të shoqëruar me djathë parmixhan e thërrime buke dhe të pjekur në furrë.

Pure Patatesh Me Djathë e Pjekur Në Furrë

Përbërësit:

  • 1 lugë gjelle gjalpë,
  • 2 kg patate të qëruara e të prerë në kubikë,
  • 1 filxhan çaji me qumësht me yndyrë të plotë
  • Gjysëm filxhan çaji me gjalpë të shkrirë,
  • Një filxhan e gjysmë çaji djathë mocarella të prerë hollë,
  • 1 filxhan çaji me djathë parmixhan të grirë imët,
  • Kripë dhe piper,
  • 2 lugë gjelle thërrime buke.

Përgatitja:

Ndizeni furrën në 200 gradë. Tavën e gatimit yndyroseni me një lugë gjalpë dhe lëreni mënjanë.

Ziejini patatet në një tenxhere me ujë të valuar e të kriposur për 15 minuta deri sa të zbuten.

Kullojini dhe vendosini sërish në tenxhere. Në një enë tjetër ngrohni qumështin dhe gjalpin

Më pas shtypini ato ngadalë dhe në mënyrë të qëndrueshme deri sa të përfitoni një masë kremoze të trashë. Shtoni qumështin dhe gjalpin dhe përziejeni purenë me lugë druri.

Shtoni kripën dhe piperin e më pas djathin mocarella dhe treçerekun e sasisë së lënë mënjanë të djathit parmixhan.

Pasi ta keni përzier mirë, purenë hidheni në tavën e yndyrosur.

Sheshojeni sipërfaqen e saj me lugë druri dhe më pas sipër hidhni thërrimet e bukës dhe pjesën e mbetur të djathit parmixhan.

Futeni tavën në furrë dhe piqeni për rrëth 20 minuta ose deri sa sipërfaqja e puresë të marrë ngjyrën e artë.

Nëse nuk do ta servirni purenë, atëherë hidhni gjalpë në sipërfaqen e saj dhe mbajeni të mbështjellë në një vend të ngrohtë.

Pureja qëndron e ngrohtë për të paktën 30 minuta./AgroWeb.org