Qofte me Patëllxhanë dhe Djathë – Receta me Shije të Mrekullueshme

3.6k 0

Patëllxhani është perimja e duhur për të përgatitur këtë recetë të lehtë.

Mund t’i shërbeni me salcë për makaronat e shpejta, apo dhe me salcë kosi me hudhra dhe vaj ulliri.

Ky gatim është një mënyrë e mirë për të sjellë diçka të re në tryezat tuaja mjafton të ndiqni hapat nga AgroWeb.org më poshtë.

Përgatitja e Qofteve me Patëllxhanë

Përbërësit

  • ½ lugë gjelle me vaj ulliri
  • 500g patëllxhanë
  • Kripë
  • ¼ lugë gjelle me piper të zi të bluar
  • 2 thelpinj hudhër të shtypura
  • 1 ½ gotë me bukë të thekur të thërrmuar
  • 1 vezë
  • 5 lugë gjelle djathë i bardhë i thërrmuar
  • 1 lugë gjelle me majdanoz të grirë
  • 4 domate për salcë (sipas preferencës mund t’i shoqëroni me salcë)

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju udhuezon që patëllxhanët t’i prisni në kubikë të vegjël afërsisht 1cm bashkë me lëkurën dhe spërkatini me pak miell.

Ndërkohë ngrohni furrën në 200 gradë.

Në një tigan që nuk ngjit hidhni ½ e lugës së gjellës me vaj ulliri dhe vendoseni në zjarr me flakë të mesme.

Kur të nxehet mjaftueshëm, hidhni kubikët e patëllxhanëve dhe ¼ gotë me ujë.

I marinojmë më kripë dhe piper për t’i dhënë shije, dhe i trazojmë ngadalë deri sa të shohim që janë zbutur.

Ky proces mund të zgjasë rreth 10 ose 12 minuta.

I kalojmë patëllxhanët në grirësen elektrike (mikser) dhe i grijmë derisa të bëhen në formën e një brumi.

Në një tas shtojmë brumin e patëllxhanëve të sapo përgatitur, shtojmë aty dhe bukën e thekur, vezën e rrahur, djathin, majdanozin, hudhrën. I hedhim kripë dhe piper sipas shijes.

Me ndihmën e një luge druri e përziejmë derisa të formohet një masë homogjene.

Me një lugë gjelle marrim pak masa e përgatitur dhe me duart e spërkatura me pak miell, formojmë topëza të vegjël.

Në një tavë hedhim pak vaj ulliri dhe e lyejmë më dorë, më pas vendosim me radhë të gjitha qoftet e përgatitura.

Për pjekjen

I vendosim në furrë për 20 deri në 25 minuta, derisa të kenë marrë një ngjyrë të artë.

Domatet pasi i kemi larë, i presim në disa pjesë dhe i vendosim tek grirësja elektrike për të përgatitur salcën.

Vendosim në zjarr një tigan pak të thellë dhe hedhim pak vaj ulliri, një thelbi hudhër dhe kur të jetë ngrohur shtojmë domaten.

E lëmë kështu të ziejë për 5 minuta.

Pasi qoftet të jenë bërë, i kalojmë pa u prishur formën në tiganin me salcën e domates dhe i lëmë aty derisa të kenë përthithur lagështirën e domates. Mund t’i shtoni dhe disa gjete të freskëta borziloku për t’i dhënë akoma dhe më shumë shije.

Nëse preferoni qoftet mund t’i konsumoni edhe pa salcë domateje por me gatime të tjera siç janë supat, sallatat e freskëta të stinës etj./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.