Të përgatitura në shtëpi dhe të skuqura apo të pjekura në furrë, shoqëruar me salca të ndryshme të freskëta shija e këtij gatimi mbledh padyshim gjithë familjen drejt tryezës.
Kjo recetë tipike, e përgatitur nga amvisat shqiptare për dekada me radhë është një mënyrë fantastike për të servirur një pjatë të shijshme për veten, familjen dhe më të dashurit.
AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e përgatitjes së qofteve me mish pule.
Qoftet e shtëpisë me mish pule shoqërohen në mënyrë fantastike me patate të furrës apo pure patatesh, sallata të freskëta të stinës e zahire të ndryshme të kuzhinës shqiptare siç janë turshitë etj
AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së qofteve të shtëpisë me mish pule.
Përgatitja e Qofteve të Shtëpisë
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
- 300-400 gr mish pule (preferohet pjesa e gjoksit)
- 2 kokrra qepë
- 2 feta bukë
- 1 kokërr vezë
- 4-5 lugë gjelle miell
- 3-4 thelpinj hudhra
- Vaj
- Kripë, piper, nenexhik
Përgatitja
Si fillim, mishin e pulës pastrojeni nga kockat dhe kalojeni për zierje derisa të zbutet.
Më pas, mishin e zierë largojeni nga tenxherja dhe grijeni përmes një thike të mprehtë shumë hollë në formën e mishit të grirë.
Në vijim, në një tas të madh bashkojmë mishin e pulës me vezën, bukën e qullur me ujë ose qumësht, kripën, piperin, nenexhikun e grirë hollë, qepët dhe hudhrat e grira hollë, miellin dhe i përzjejmë mirë derisa masa të jetë bërë homogjene.
Qoftet i ndajmë në forma të rrumbullakëta në madhësinë e një kokërr arre.
I kalojmë në miell dhe më pas i skuqim në zjarr të fortë nga të dyja anët. Nëse preferoni, mund të përgatisni edhe salca të ndryshme shtëpie për t’i shoqëruar. Mund të përgatisni salcë me domate dhe hudhra.
Mjafton të skuqni si fillim 5-6 thelpinj hudhra të shtypur me vaj ulliri , e më pas shtojini 4-5 domate të grira në rende, hidhini kripë, piper e pak spec djegës nëse preferoni dhe lëreni në zjarr derisa salca të jetë gati.
Por mund të përgatisni gjithashtu edhe salcë kosi të kombinuar me kastraveca të grirë, hudhra dhe arra të grira gjithashtu. Sipër spërkateni me pak vaj ulliri. /AgroWeb.org