Qumështor i Ëmbël pa Petë – Si ta Përgatisni në Shtëpi

20.4k 0

Qumështori është një recetë që i përket traditës shqiptare dhe ka mrekulluar me vite breza të tërë familjarësh.

Sot AgroWeb.org ju tregon një mënyrë fantastike dhe më të lehtë për ta përgatitur.

Receta që ju sugjerojmë nuk kërkon petë, duke e bërë qumështorin një ëmbëlsirë akoma edhe më të lehtë.

Gjithashtu kemi përdorur edhe një përbërës tjetër i cili i jep një shije të veçantë recetës.

Përbërësit

  • 1l qumësht
  • 6 kokrra vezë
  • 4 lugë gjelle niseshte
  • 2 lugë gjelle miell
  • 4 lugë gjelle sheqer
  • 2 lugë gjelle mjaltë
  • 1 lugë gjelle gjalpë

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju sugjeron që të rrihni vezët me sheqerin derisa të krijohet një masë kremoze.

Ngjyra e saj duhet të jetë e verdhë shumë e lehtë, gati në të bardhë.

Pasi të keni arritur në këtë fazë shtoni mjaltin.

Ky përbërës do t’i japi një shije më speciale qumështorit tuaj.

Niseshtenë dhe miellin kalojeni fillimisht në sitë dhe më pas shtojeni tek tasi ku keni përbërësit.

Në fund shtojmë edhe qumështin dhe e përziejmë mirë në mënyrë që të mos krijohen kokrriza.

Masën agroWeb.org ju këshillon që ta kaloni në një tenxhere dhe ta vendosni në zjarr.

Përzierja duhet të mpikset në zjarr mesatar dhe duhet rrahur me tel kuzhine gjatë gjithë kohës.

Sigurohuni që masa të mos ngjitet dhe të mos krijohen kokrra të patretura të miellit.

Kur masa kremoze të fillojë të kthejë valë është gati për ta kaluar në tavën për pjekje.

Tavën më parë duhet ta lyeni me gjalpë duke mbuluar të gjithë sipërfaqen e saj madje edhe anët.

Qumështorin duhet ta  piqni në furrë të parangrohur në 180 gradë derisa sipërfaqja e tij të ketë marrë ngjyrën e artë.

Mjaftojnë vetëm 10-15 minuta dhe qumështori do të jetë gati pasi fazën më të madhe të pjekjes e kemi kaluar.

Pasi të jetë pjekur nxirreni tavën nga furra dhe lëreni të ftohet.

Nëse e dëshironi të ngrohtë mund ta shërbeni duke e kaluar në tasa.

Nëse e preferoni të ftohtë, prisni derisa të ftohet tava dhe futeni në frigorifer për disa minuta.

Më pas priteni dhe shërbejeni për të dashurit tuaj./AgroWeb.org