Traditë e Shqipërisë së Jugut dhe të Mesme, qumështori me petë të pjekura është një ndër recetat më fantastike tradicionale.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e qumështorit me petë të pjekura sipas traditës së vjetër të amvisave shqiptare dhe hapat që duhet të ndiqni.
Ai mund të përgatitet në dy mënyra, i ëmbël ose i kripur, e sigurisht në të dyja rastet shija e tij të mahnit njëlloj.
Në rastet e përgatitjes së qumështorit të kripur, ai shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, supa të lehta, por edhe me zahiretë e famshme shqiptare siç janë turshitë me perime të ndryshme.
Në rastet kur qumështori përgatitet i ëmbël, ai është një ëmbëlsirë e mrekullueshme për t’u konsumuar në çdo kohë, veçanërisht pas vakteve të drekës apo darkës por edhe në momente të tjera gjatë ditës.
Përgatitja e Qumështorit me Petë të Pjekura në Shtëpi
Përbërësit
- 3 gota miell gruri
- 4-5 gota qumësht
- 3 kokrra vezë
- 2-3 filxhan kafeje gjalpë
- Sheqer ose kripë
Për përgatitjen e petëve
Brumi përgatitet si për byrek të zakonshëm.
Petët hapen dhe piqen në furrë.
3-4 petë lihen të papjekura mënjanë.
Mund të përdorni edhe petë gatshme.
Përgatitja e Qumështorit
AgroWeb.org ju sugjeron që për përgatitjen e kësaj recete të përdorni qumësht dele ose lope fshati.
Në një tavë të lyer me gjalpë shtrohen si fillim petët e papjekura.
Pasi spërkaten me gjalpë, vendosen petët e pjekura mirë dhe të thërrmuara.
Në një tas rrihen vezët, shtohet qumështi, gjalpi dhe sheqeri ose kripa sipas preferencës.
Nëse preferoni sipër qumështorin mbulojeni edhe me një petë.
Në rastet kur preferohet të përgatitet i ëmbël hidhen 2-3 lugë gjelle sheqer, ëmbëlsia vendoset sipas preferencës.
Në rastet kur përgatitet i kripur hidhet një lugë gjelle kripë, jo e mbushur plot. Megjithatë sasia hidhet sipas dëshirës.
Qumështori vendoset në furrë dhe piqet sa të jetë gati.
Kur është i kripur shoqërohet i ngrohtë./AgroWeb.org
*Për një gatim më të shëndetshëm, AgroWeb.org këshillon përdorimin e vajit të ullirit.
Lini një Përgjigje