Receta Fantastike e Bukëvales së Kripur me Vaj Ulliri

5.1k 0

Bukëvalja është një recetë e vjetër e traditës shqiptare, e cila ka kaluar brezë pas brezi deri në ditët e sotshme.

Dikur, bukëvalja përgatitej shpesh për shkak të përbërësve të saj të pakët e jo të kushtueshëm, e megjithatë shija e saj të përfshin tërësisht.

Ky gatim në zonën e Korçës zakonisht përgatitet e ëmbël për të festuar lindjen e një fëmije.

Por sot AgroWeb.org ju tregon si ta përgatisni atë me djathë dhe vaj ulliri.

Nëse nuk e keni provuar ndonjëherë kështu do të mrekulloheni me shijen e saj perfekte.

Kjo recetë është po aq e shijshme sa dhe e ëmbla me sherbet, por ama mund ta konsumoni më shpesh.

Lexoni të plotë hapat e përgatitjes dhe shijojeni që sot me të dashurit tuaj.

Përgatitja e Bukëvales së Kripur me Vaj Ulliri

Përbërësit

  • 500 gr miell gruri
  • Një lugë kafeje kripë
  • 125 ml vaj ulliri
  • 1 litër e gjysmë ujë
  • 300 gr djathë i bardhë i thërrmuar

Përgatitja

Si fillim, në një enë të gjerë shtojmë miellin, kripën dhe nisim e punojmë me duar duke shtuar ngadalë ujë të vakët derisa të krijohet një masë e butë

Brumin e kulaçit vendoseni në një tepsi të lyer me vaj ulliri dhe futeni të piqet në furrë derisa sipërfaqja të bëhet transparente.

Pasi është pjekur dhe ftohur pak, AgroWeb.org ju udhëzon që kulaçin ta thërrmoni në copëza të vogla si ato të përsheshit.

Ndërkohë, në një tenxhere shtoni djathin dhe ujin dhe lëreni derisa masa të vlojë mirë dhe të behët si masë e njëtrajtshme. Në këtë moment hiqeni nga zjarri.

Më pas, hidhni kulaçin e thërrmuar në tenxheren me masën e djathit të zbutur. Shtoni sipër vaj ulliri, mbylleni tenxheren me kapak dhe lëreni që copëzat e kulaçit të përthithin shijen e kripur të djathit.

Lëreni të ftohet dhe shërbejeni të ndara në pjata./AgroWeb.org