Receta e Shijshme e Pulës me Trahana Tradite – Pjata që Duhet ta Provoni

4.4k 0

Trahanaja është një nga pjatat më tradicionale të vendit tonë.

Përgatitja e saj nis pikërisht gjatë muajve të verës për t’u shijuar gjatë gjithë vjeshtës e dimrit.

Një recetë fantastike e cila i jep shije çdo vakti në familje.

Ajo zakonisht përgatitet me qumësht për ata që e duan të ëmbël, me kos për shijen e athët, por edhe me domate apo lëng mishi.

AgroWeb.org ka publikuar pothuaj të gjitha këto metoda në përgatitjen e kësaj zahireje, dhe sot vjen me diçka krejt ndryshe.

Receta e sotme ju tregon si të përgatisni mishin e pulës me trahana, dhe nuk e kemi thjesht për përgatitjen e brumit të saj.

Jo, bëhet fjalë për recetën finale që shijojmë që të gjithë.

Ju sugjerojmë të ndiqni hapat e treguar në recetë dhe ta provoni që sot këtë shije fantastike.

Përbërësit

  • 1 kg e gjysmë mish pule
  • 1 kg domate të pjekura
  • 2 gota trahana ose e athët ose e ëmbël
  • 1 qepë mesatare
  • 4 lugë gjelle me gjalpë
  • Kripë

Përgatitja

Si fillim qëroni dhe grini sa më imët qepën e bardhë, ndërkohë në zjarr keni vendosur një tigan të thellë të ngrohet me dy lugë gjelle gjalpë.

Kur gjalpi të ketë shkrirë plotësisht hidhni qepën dhe lëreni të skuqet lehtë derisa ngjyra e saj të bëhet transparente.

AgroWeb.org ju këshillon që të pastroni dhe të prisni në thela pulën, e sapo qepa të jetë gati ta shtoni atë në tigan.

Ndërkohë qëroni dhe grini në rende domatet, por tregoni kujdes që thelat e pulës t’i ktheni herë pas here në mënyrë që të marrin ngjyrë në të gjitha anët.

Hidhni kripë për t’i dhënë shije pulës, sigurisht që mund të përdorni edhe erëzat tuaja të preferuara.

Sapo t’i keni gati domatet e grira në rende shtojini ato tek tigani.

Nëse nuk keni një tigan të thellë, AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni edhe një tenxhere.

Kur mishi të jetë zbutur largojeni nga tigani, ndërkohë kullojeni atë në një enë për të marrë lëngun e domates.

Lëngun që përfituat kalojeni përsëri në tigan dhe aty shtoni trahananë.

AgroWeb.org ju këshillon që ta përzieni gjatë gjithë kohës me një lugë druri.

Para se trahanaja të vlojë e të mpikset shtoni thelat e pulës dhe lërini të ziejë për 5-7 minuta të tjera bashkë.

Në fund ngrohni dhe gjalpin e mbetur dhe kur ta shërbeni trahananë me thelat e mishit, spërkateni pjatën me gjalpin e shkrirë./AgroWeb.org