Merrni Recetën e Duhur – Qofte Tigani me Salcë Të Kuqe – Tradita e Mirë në Tryezat Shqiptare

4.7k 2

Një gjellë fantastike, tipike e traditës shqiptare me një shije të plotë dhe speciale për një vakt të shijshëm dreke apo edhe darke.

Të përgatitura në shtëpi dhe të pjekura në furrë, shoqëruar me një salcë  të freskët domatesh shija e këtij gatimi mbledh padyshim gjithë familjen drejt tryezës.

Kjo recetë tipike, e përgatitur nga amvisat shqiptare për dekada me radhë është një mënyrë fantastike për të servitur një pjatë të shijshme për veten, fmailjen dhe më të dashurit.

Shoqërohet në mënyrë fantastike me patate të furrës apo pure patatesh, sallata të freskëta të stinës e zahire të ndryshme të kuzhinës shqiptare siç janë turshitë etj

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së qofteve të shtëpisë në furrë me salcë domatesh.

Përgatitja e Qofteve të Shtëpisë me Salcë Domate

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • 300-400 gr mish i grirë
  • 2 kokrra qepë
  • 2 feta bukë
  • 1 kokërr vezë
  • 4-5 lugë gjelle miell për qoftet
  • Gjysmë luge gjelle për salcën
  • 4-5 lugë vaj ulliri
  • 2-4 kokrra domate
  • 1 lugë gjelle me salcë
  • 3-4 thelpinj hudhra
  • 2 lugë gjelle me uthull
  • 2  filxhanë çaji me ujë për salcën
  • Kripë, piper, majdanoz

Përgatitja  

Për përgatitjen e qofteve

Në tas të madh bashkojmë mishin e grirë me vezën, bukën e qullur me ujë ose qumësht, kripën, piperin një nga qepët dhe hudhrat e grira hollë, miellin dhe i përzjejmë  mirë derisa masa t ëjetë bërë homogjene.

Qoftet i ndajmë në forma të rrumbullakëta në madhësinë e një kokër are. I kalojmë në miell, i skuqim dhe i lëmë mënjanë.

Për përgatitjen e salcës

Në një tigan shtojmë vajin e ullirit dhe qepët e grira hollë duke i kavërdisur derisa volumi i tyre të bjerë.

Në këtë moment shtojmë miellin, e kavërdisim me qepët për disa sekonda e më pas shtohen domatet e grira hollë.

Kavërdisen për dy minuta të gjitha bashkë e më pas shtojmë ujë, uthull, kripë, piper, një gjethe dafinë dhe hudhra shtypura.

Lihen sa të marrin një valë. Kjo masë më pas u hidhet qofteve, të cilat i kemi vendosur në një tavë dhe i fusim në furrë të parangrohur dhe lihen 20-30 minuta.

Pasi hiqen nga furra sipër u hidhet majdanoz i freskët i grirë hollë./AgroWeb.org 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.