Sekretet e Përgatitjes së Sheqerpareve në Shtëpi

6.6k 1

Me arra apo bajame, e sherbetosur dhe e shkrifët, sheqerparja mbetet ndër recetat më unike të amvisave shqiptare  

Tradita shqiptare e ëmbëlsirave është e pasur me receta të mrekullueshme por ajo e sheqerpares është padyshim më e veçanta.

Është gostia më e mirë për miqtë, ëmbëlsia më e dashur për familjen e sigurisht receta për të cilat të gjitha trevat shqiptare krenohen se është traditë e tyre.

Dibra ka recetën e saj fantastike, aq sa prej dekadash tashmë njihet emërtesa e Sheqerpare Dibrane.

Elbasani e Tirana po ashtu si edhe qytetet jugore, Berat, Gjirokastër a Korçë krenohen për traditën e tyre të sheqerpares, e cila në fund të fundit mbetet shqiptare.

AgroWeb sjell recetën e famshme  të përgatitjes së sheqerpares në shtëpi, shumë e lehtë për t’u përgatitur me një dimension të fortë shijeje për t’u ëmbëlsuar.

Si të përgatisim sheqerparen krejt lehtë në shtëpi

Përbërësit për brumin

  • 250 gramë miell
  • 100 gramë gjalpë
  • 100 gram sheqer
  • 1 kokërr vezë
  • 2 lugë gjellë kos i bardhë
  • 1 lugë e vogël me maja për ëmbëlsira
  • Pak kripë
  • Disa thelpinj arrash dhe bajamesh

Për përgatitjen e sherbetit

  • 200 gramë sheqer
  • 200 ml ujë
  • 2 lugë lëng limoni
  • 1 lugë çaji me vanilje pluhur

Procesi i përgatitjes

Si fillim përgatisim sherbetin. AgroWeb.org ju kujton të bëni kujdes që sherbeti të jetë i ftohtë në momentin që do t’u hidhet ëmbëlsirave.

Në një tenxhere hedhim ujin dhe sheqerin dhe i vendosim në zjarr që të vlojnë.

Në momentin që nisin të zjejnë, hedhim lëngun e limonit dhe e lëmë në zjarr të ngadaltë për 5 minuta.

Më pas, e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.

Ndërsa sherbeti ftohet, nisim përgatitjen e sheqerpareve.

Në një enë të bollshme hedhim miellin, majanë, sheqerin, vezën, kosin dhe i përzjejmë që të gjitha bashkë derisa të njëtrajtësohen, më pas, hedhim gjalpin e shkrirë dhe pak fare kripë.

I përzjejmë me dorë të gjithë përbërësit derisa masa e përftuar të jetë e njëtrajtshme.

Më pas në një tavë shtrojmë letrën e kuzhinës, ndajmë brumin në forma ovale të sheshta dhe në mes krijojmë një gropëz të vogël ku vendosim nga një thelpi arre ose bajame.

Të gjitha sheqerparet e përgatitura i shtrojmë me rregull në tavë.

AgroWeb.org ju këshillon që sheqerparet të mos i vendosni shumë pranë njera tjetrës sepse gjatë procesit të pjekjes do fryhen në përmasat e tyre.

Ndërkohë ngrohim furrën në temperaturën 180 gradë celcius. Pasi furra të jetë nxehur fusim tavën me sheqerpare dhe i lëmë të piqen përreth 30 minuta derisa sheqerparet të marrin ngjyrë të praruar, të artë.

Pasi shqeqerparet janë pjekur, i heqim nga furra dhe siç janë të nxheta u hedhim përsipër sherbetin e ftohtë.

I vendosim në një pjatancë me rradhë dhe më pas i servirim për ti shijuar me familjen ose me miqtë.

Për shkak të ëmbëlsisë së saj, AgroWeb.org ju këshillon që të mos e tepëroni me konsumimin e tyre në sasi të madhe por të konsumoni vetëm një. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.