Shija Delikate, Gatimi dhe Super Vlerat e Këmbëve të Bretkosave

3.7k 0

Ndonëse disa njerëzve idea e të ngrënit bretkosa mund t’ua ngrejë qimet përpjetë, ato kanë vlera të mëdha ushqimore.

Bretkosat janë të pasura me proteina dhe këshillohen për të gjitha grupmoshat, sepse asimilohen me lehtësi nga organizmi.

Duhet të dini që vetëm këmbët e pasme të bretkosave janë të ngrënshme.

Bretkosa të fërguara

Për 4-5 racione

Përbërësit

  • 1 kg këmbë bretkose
  • Kripë e piper sipas dëshirës
  • 2 tufa majdanoz
  • 1 filxhan kafeje uthull

Për brumin

  • 1 filxhan çaji miell
  • 2 kokrra vezë
  • 1 ½ filxhan ujë
  • Kripë

Pastrimi dhe marinimi

Këmbët e pasme të bretkosave pastrohen nga lëkura dhe cipat e tjera.

Ato priten me gërshërë kuzhine dhe marinohen në të njëjtën mënyrë  si peshqit me kripë, piper, majdanoz dhe uthull.

Lihen për rreth një orë, kullohen dhe gatuhen.

Gatimi

Pasi hiqen nga marinimi, këmbët e bretkosave fshihen lehtë me një pecetë të pastër.

Kalohen në pak miell dhe më pas në brumë të përgatitur me vezë, miell, ujë dhe kripë.

Më pas skuqen nga të dyja anët për rreth 10 minuta.

Këmbët e skuqura serviren në një pjatancë duke shtuar majdanoz, feta limoni dhe duke u shoqëruar me sallata të ndryshme të stinës, pilaf ose patate të skuqura.

Mishi i këmbëve të bretkosës ngjan shumë me mishin e pulës.

5 Përfitimet nga Këmbët e Bretkosës

Janë të pasura me proteina

Përmbajnë pak yndyrë.

Janë një burim i pasur i acideve yndyrore omega-3 të cilat janë të shëndetshme për zemrën dhe trurin.

Përmbajnë shumë vitamina, përfshirë vitaminën A, B6, B12, D, E dhe pak vitaminë K.

Janë të pasura me minerale, përfshirë kaliumin, hekurin, fosforin, zinkun, bakrin, seleniumin dhe pak kalçium.

Këmbët e bretkosave mund të gatuhen edhe me avull ose të kavërdisen.

Në një racion prej 100 gramë me këmbë bretkosash gjendet 0.3 g yndyrë ndërsa në të njëjtën sasi me mish pule gjendet 3 gramë yndyrë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.