Si të Përgatisni Mesnikun Tradicional Krejt Lehtë në Shtëpi

2.5k 1

Mesniku apo i njohur ndryshe si Lakrori i Zagorisë me mish është një ndër gatimet më speciale të kuzhinës tradicionale shqiptare, kryesisht traditë e jugut të vendit.

I përgatitur nga mjeshtëria e grave zagorite (një nga fshatrat më të njohur të Gjirokastrës) ky lakror i shijshëm është një recetë e vjetër, me shije fantastike e që të përfshin tërësisht sidomos kur shërbehet i ngrohtë, i sapo pjekur.

Tradita e do që ky lakror të piqet në saç, por pa dyshim edhe në furrë shija dhe aroma e tij mbush gjithë shtëpinë me dëshirën për ta shijuar.

Dikur, ky lakror ishte ndër gatimet kryesore që përgatitej e shtrohej nëpër dasmat shqiptare, sidomos në zonat e jugut por edhe në raste drekash e darkash familjare, apo festash siç është darka e Vitit të Ri.

AgroWeb.org u përcjell më poshtë recetën e vjetër të përgatitur nga gratë zagorite, një recetë e cila sot mbush gjithë shije sofrën shqiptare.

Përgatitja e Mesnikut në Shtëpi   

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • 4-5 thela mish viçi (i prerë në copa të vogla)
  • 1 filxhan kafeje me vaj ulliri
  • 2 kokrra qepë mesatare
  • 2 lugë gjelle me gjalpë
  • 3 gota ujë miell
  • 2 kokrra vezë
  • Kripë
  • Piper
  • Nenexhik

Përgatitja

Mishi pritet në copëza të vogla dhe kaurdiset me qepë të grira hollë.

I hidhet kripë, piper i zi, nenexhik dhe ujë sa të mbulohet.

Lihet të zjejë derisa të jetë gati.

Mishi duhet të përgatitet me lëng (Me të do të spërkaten petët)

Përgatitet brumi si për byrek dhe lihet pak kohë mënjanë që të pushojë.

Hapen petët, nga të cilat 3-4 copë hiqen mënjanë.

Të tjerat piqen mbi pllakën e sobës ose thërrmohen.

Në një tavë të lyer me vaj ulliri, shtrohen petët e papjekura dhe spërkaten me gjalpë.

Mbi to hidhen petët e pjekura e të thërrmuara dhe rradhiten thelat e mishit.

Lagen me lëngun e mishit, spërkaten me gjalpë dhe piqen në furrë.

Copëzat e mishit vendosen të ndara njëtrajtësisht.

Më pas lakrori futet në furrë dhe piqet me 200 gradë.

Shoqërohet në mënyrë fantastike me zahiretë shqiptare, veçanërisht turshitë, por edhe sallata të freskëta të stinës etj./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.