Si të Përgatisni Turlinë më të Shijshme me Perime të Stinës – Vlera dhe Shëndet

3.2k 0

Turlia e shtëpisë është një gjellë e ngrohtë dhe shije plotë e cila të kënaq nepsin dhe oreksin sidomos gjatë vaktit të drekës.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë mënyrën e shijshme të përgatitjes së turlisë së shtëpisë me perimet që dëshironi dhe që ofron stina.

Kjo është një recetë fantastike, e cila kombinohet mjaft mirë me sallata të freskëta të stinës, salca të ndryshme por edhe turshi të përgatitura në shtëpi.

Përgatitja e Turlisë së Shtëpisë

Përbërësit

  • 4-5 thela mish viçi (Nëse dëshironi turlinë mund ta përgatisni edhe pa mish)
  • 1.5 kg perime (perimet zgjidhen sipas dëshirës nga çfarë ofron stina, patate, presh, patëllxhanë, speca, kungulleshka, karrota)
  •  4-5 kokrra domate
  • 2 filxhanë kafeje vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper
  • Rigon ose gjethe dafine (sipas dëshirës)

Përgatitja

Si fillim vendosni mishin në një tenxhere, hidhni pak kripë, shtoni ujë dhe lëreni në zjarr të ziejë sa të marrë një valë, pra jo të ziejë plotësisht.

Për të përgatitur recetën e turlisë duhen 3 apo më tepër lloje perimesh, të cilat i përzgjidhni sipas dëshirës nga çfarë ofron stina.

Perimet pastrohen, në rastin e patateve dhe karrotave u qërohet lëkura dhe priten në kubikë jo shumë të vegjël.

Kungulleshkave, patëllxhanëve dhe specave u largohet bishti dhe priten edhe ato në kubikë jo shumë të vegjël.

Të gjitha perimet kaurdisen me vaj ulliri dhe më pas hiqen nga tenxherja dhe lihen mënjanë.

Në tenxheren ku keni vajin e ullirit që kaurdisët perimet, kaurdiset qepa derisa volumi i saj të bjerë, më pas shtohen domatet e qëruara nga cipa dhe të grira hollë, shtohet kripë dhe majdanoz i grirë hollë.

Kaurdisen derisa volumi i domateve të ulet pak.

Më pas, në një tenxhere me fund të gjerë, shtohet salca e përgatitur, shtohen perimet e kaurdisura përzihen lehtë me salcë, shtohet lëng mishi dhe pak ujë nëse duhet derisa perimet të mbulohen dhe vihet të ziejnë në zjarr të ngadaltë derisa turlia mbetet me jo shumë lëng.

Më shumë shije, nëse dëshironi mund të shtoni rigon dhe një gjethe dafine.

Shënim: Turlia mund të përgatitet edhe në tavë.

Perimet e kaurdisura vendosen në rreshta, vendosen thelat e mishit gjysmë të ziera, tava mbushet me salcën e përgatitur të domateve me qepë, u shtohet lëng mishi dhe piqen në furrë derisa të mbeten me pak lëng. /AgroWeb.org